Projektbuxheti i vitit 2027 tejkalon për herë të parë vlerën e 10 miliardë eurove. Gjatë prezantimit në Komisionin e Ekonomisë, Ministri i Financave, Petrit Malaj, sqaroi se ndryshimet në Paketën Fiskale kanë efekt neutral dhe nuk do të rrisin taksat për qytetarët.

“Nuk kemi një rritje të taksave, kemi një rishpërndarje të taksave. Rritja e tatimit mbi dividentin dhe paratë që vijnë nga kjo rritje, do të kalojnë dhe do të shpërndahen te rritja e fashës së pagës, të cilën e kemi kaluar nga 200 mijë në 300 mijë lekë. Që do të thotë, këto para që ne marrim nga dividenti do të shkojnë si të ardhura shtesë për shtresën e mesme të shoqërisë”, tha Malaj.  

Përveç uljes së TVSH-së në 6% për 54 produkte bazë, ndryshime ka edhe në taksën e qarkullimit që zhvendoset nga karburanti te mjeti motorik.

“Edhe heqja e taksës së qarkullimit nga karburantet dhe kalimi te mjetet motorike, krijon gjithashtu një minus në buxhetin e shtetit, minus i cili po ashtu përballohet nga këto rishpërndarje të ardhurash që ne bëjmë. Minusi në këtë rast është rreth 5 miliardë lekë apo 50 milionë euro. Nëse do t’i mbledhim dhe do t’i zbresim të gjitha këto politika njëra me tjetrën efekti është zero ose minus 300 milionë lekë”, tha Malaj.  

Pjesa më e madhe e shpenzimeve të buxhetit të ri shkon për mbështetjen sociale, veçanërisht për pensionet.

“Në total, politika për pensionet për vitin 2027 është 24 miliardë lekë ose rreth 250 milionë euro. Dyfishimi i vlerës së bonusit mujor për pensionistët sipas kategorive të përcaktuara, duke filluar nga 1 janari 2027, me një kosto totale prej 20 miliardë lekësh”, tha Malaj.  

Me një fokus të theksuar te mbrojtja e shtresës së mesme, projektbuxheti dhe paketa fiskale 2027 synojnë që rritja ekonomike e vendit të përkthehet drejtpërdrejt në më shumë mirëqenie për çdo qytetar.

/tvklan.al