Ministri i Financave, Petrit Malaj, njoftoi sot, 10 nëntor, në Komisionin e Bujqësisë se programi IPARD III, i pezulluar që nga viti 2023, do të rihapet gjatë vitit 2026.
Ai bëri me dije se qeveria shqiptare po përmbush masat e kërkuara nga Komisioni Europian pas parregullsive të evidentuara në fazën e dytë të programit. Fondet pritet të zhbllokohen pas një vlerësimi të plotë nga DG Agri.
“IPARD ka pasur rezultate pozitive edhe në fazën e parë edhe në fazën e dytë. Për shkak të disa parregullsive në fazën e dytë, Komisioni Europian kërkoi disa masa që qeveria duhet të zbatojë. Ne po i realizojmë këto masa dhe jam optimist se programi do të ofrojë një mbështetje të madhe për bujqësinë shqiptare”, tha Malaj.
Ministri theksoi gjithashtu se, pavarësisht vonesave në financimin nga IPARD, qeveria shqiptare ka vendosur mekanizma alternativë për mbështetjen e fermerëve dhe bizneseve bujqësore.
“Është vendosur një garanci sovrane prej 30 milionë eurosh për sektorin bujqësor, që u mundëson fermerëve dhe bizneseve të vogla të përfitojnë kredi të garantuara nga shteti deri në 70% të vlerës, me normë interesi prej vetëm 2%. Paralelisht, është krijuar edhe një linjë kredie prej 250 milionë eurosh, me norma të lehtësuara interesi, e vënë në dispozicion nga Banka e Shqipërisë, për të nxitur zhvillimin e sektorit të agropërpunimit, që do të jetë një nga prioritetet e qeverisë në vitet e ardhshme”, tha ministri.
Kujtojmë se për shkak të parregullsive dhe keqpërdorimeve të konstatuara, Komisioni Evropian vendosi në korrik 2023 të ndërpresë mbështetjen për Shqipërinë, duke penguar hapjen e IPARD III. Ndërkohë, fondet për fermerët përfitues të IPARD II, që i përkisnin periudhës 2014-2022, janë përmbyllur dhe kapin gjithsej 94 milionë euro.
Mungesën e mbështetjes nga IPARD e ka mbuluar buxheti i shtetit përmes Skemës së Investimeve, e lançuar vitin e shkuar dhe që vijoi edhe këtë vit, si dhe përmes skemës kombëtare të subvencioneve për bujqësi dhe blegtori.
Ndërkohë, vitet e fundit bujqësia shqiptare, që ende përbën rreth 15% të ekonomisë kombëtare, ka pasur një sërë problematikash që nga copëzimi i tokës, mungesa e mekanizimit, fragmentimi i tregut dhe politikat e paqëndrueshme të mbështetjes, të kombinuara me braktisjen e zonave rurale nga emigrimi.












Botërori 2026 
