Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi në Komisionin e Ekonomisë, Punësimit dhe Financave projektbuxhetin për vitin 2026 duke hapur kështu diskutimet për këtë çështje. Ai tha se qeveria ka katër fokuse kryesore në këtë projektbuxhet.

“Të rrisim nivelin e mirëqenies dhe mbrojtjes sociale për qytetarët tanë; Të garantojmë një rritje ekonomike të qëndrueshme; Të sigurojmë konsolidimin fiskal; Si dhe të përshpejtojmë procesin e integrimit evropian”, tha ai.

Projektbuxheti i vitit 2026 parashikon një nivel total shpenzimesh prej 886.7 miliardë lekësh. Malaj tha se vëmendja dhe kryefjala është rritja e mirëqenies sociale, duke vijuar më tej nxitjen për modernizimin e infrastrukturës, përsosjen e sistemeve digjitale, por edhe te zhvillimi i kapitalit njerëzor përmes arsimit dhe punësimit cilësor.

Sipas ministrit, shtylla themelore e këtij buxheti është reforma e pensioneve. Qeveria pretendon që ta nisë atë vitin e ardhshëm dhe të shtrihet më tej deri në vitin 2030. Malaj tha se pas bonusit të fundvitit që është miratuar, me fillimin e vitit të ri do të zbatohet rritja graduale e pensioneve.

“Kështu, duke filluar nga Janari 2026, përmes mbështetjes buxhetore do të zbatojë një kompensim të ardhurash për të gjithë pensionistët, bazuar në kategorinë e pensionit që përfitojnë”, tha ai.

Më konkretisht :

•1,800 lekë/muaj për pensionet urbane me vite të plota pune;

•800 lekë/muaj për pensionet urbane të pjesshme;

•1,000 lekë/muaj për pensionet rurale (të dalë në pension para 31.12.2014);

•700 lekë/muaj për pensionet familjare;

•600 lekë/muaj për pensionet e invaliditetit të punës.

Efekti financiar i parashikuar për këtë masë për vitin 2026 është parashikuar rreth 10.4 miliardë lekë, që do të mbulohet plotësisht nga buxheti i shtetit.

“Në fund të mandatit, ky efekt pritet të jetë në rreth 52 miliardë lekë, ndërsa në total për periudhën 2026-2030 ky fond llogaritet në rreth 1.7 miliardë euro”, tha Malaj.

Nga 1 janari i vitit 2026 do të rritet me 10 mijë lekë edhe paga minimale e cila do të arrijë shifrat 50 mijë lekë. Malaj tha se nga kjo rritje përfitojnë mbi 307 mijë të punësuar në sektorin publik dhe privat.

Malaj theksoi se buxheti përfshin rritje të investimeve publike, si dhe vazhdimin e reformës në administratën publike. Prioritet mbeten arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura, me synim përmirësimin e cilësisë së jetës dhe uljen e pabarazive. Ministri deklaroi se deficiti buxhetor do të ruhet në nivele të qëndrueshme, ndërsa borxhi publik pritet të ulet më tej. Malaj shtoi se politikat fiskale do të vazhdojnë të mbështesin rritjen ekonomike dhe stabilitetin makroekonomik të vendit.

/tvklan.al