Gjermania dhe Franca e kanë konsideruar Malin e Zi si shtet lider në procesin e integrimit evropian krahasuar me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Ky është mesazhi që përcollën nga Podgorica ministrat e tyre për çështjet evropiane.

“Mali i Zi, siç e konsiderojmë ne në Gjermani, është në pararojë të procesit të zgjerimit. Kushtet për anëtarësimin në BE mund të përmbushen deri në fund të vitit. Kjo do të varet nga të gjithë ata që janë të përfshirë në politikë këtu, sepse këto nuk janë vetëm punë të qeverisë, por edhe opozita ka një përgjegjësi“, tha Gunther Krichbaum, Ministër për Çështjet Evropiane i Gjermanisë.

Franca, Gjermania, Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare duan ta shoqërojnë në rrugën e integrimit. Zgjerimi i BE-së mund të quhet ribashkimi i familjes evropiane. Është me rëndësi thelbësore për stabilitetin dhe paqen në kontinentin evropian, përfaqëson një domosdoshmëri gjeopolitike, por edhe një mundësi të rëndësishme ekonomike për vende si Mali i Zi.

Krichbaum tha se po shqyrtohet mundësia që shteteve që plotësojnë kritere të caktuara t’u jepet statusi i vëzhguesit në institucione të caktuara evropiane përpara anëtarësimit formal.

“Pse të mos u lejojmë vendeve që plotësojnë kushte të caktuara statusin e vëzhguesit në Këshillin Evropian ose në Parlamentin Evropian? Nuk kushton asnjë euro, por u dërgon një mesazh të qartë Rusisë, Kinës dhe shteteve të tjera se ato i përkasin BE-së. Mos e lidhni Malin e Zi me përmbajtjen e letrës së kancelarit Merz, sepse ka përparuar më shumë se vendet e tjera kandidate dhe është pothuajse gati për anëtarësim“, u shpreh Krichbaum.

Sipas ministres malazeze për çështjet evropiane, Maida Gorčević, prioritet i Qeverisë mbetet mbyllja e të gjitha kapitujve të negociatave deri në fund të vitit.

“Fokusi i Malit të Zi mbeten reformat, sundimi i ligjit dhe mbyllja e negociatave deri në fund të këtij viti, në mënyrë që të përmbushim qëllimin tonë kryesor gjeostrategjik, që është anëtarësimi i plotë në vitin 2028. Ne e vlerësojmë shumë mbështetjen e Francës dhe Gjermanisë për draftin e traktatit të anëtarësimit, punë e cila sapo ka filluar. Marrëveshja e anëtarësimit nënkupton mbështetjen politike të të gjitha shteteve anëtare“, u shpreh Gorčević.

Gorčević e vlerësoi formimin e grupit të punës ad hoc për hartimin e traktatit të pranimit të Malit të Zi në BE.

/tvklan.al