Pas daljes nga gjyqi për çështjen “Partizani”, Jamarbër Malltezi ka deklaruar se është “viktimë e një lufte gjyqësore të koordinuar ndaj tij”.

Ai deklaroi se është i vetmi person në Shqipëri, ndaj të cilit “në të njëjtën ditë janë marrë masa për arrest, janë kryer kontrolle dhe është bërë sekuestrimi i të gjitha kompanive private që zotëronte, si dhe të pronave që kishte në bashkëpronësi, pa asnjë justifikim të qartë nga autoritetet”.

“Askush nuk ka shpjeguar lidhjen mes pronave të mia dhe objektit të hetimit të Prokurorisë. Madje janë sekuestruar edhe objekte të para 22 viteve, kur ishim në Kosovë dhe në bashkëpronësi,” deklaroi Malltezi.

Ai thekson se veprimet e ndërmarra ndaj tij tregojnë qartë se është kthyer në objekt sulmesh nga Partia Socialiste.

Edhe gjatë seancës pati tensione mes tij, avokatit Sokol Hazizaj dhe togave të zeza. Vlen të theksohet se Malltezi ishte i vetmi i pranishëm në seancën e sotme, 15 shtator, teksa kryedemokrati Sali Berisha u përfaqësua nga avokati i tij.

Në muajin korrik, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rrëzoi kërkesën e avokatëve të Sali Berishës dhe Malltezit të cilët kërkuan përjashtimin e trupës gjykuese të përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Rudina Palloj.

Kujtojmë se Berisha akuzohet për “korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë”, kryer në bashkëpunim, ndërsa Jamarbër Malltezi për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Të pandehur në këtë çështje janë gjithashtu edhe Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.

Dosja lidhet me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë, që dikur ishte pronë e Ministrisë së Mbrojtjes. Hetimet e SPAK pretendojnë se ky proces është zhvilluar në mënyrë të paligjshme dhe ka sjellë përfitime të padrejta për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

/tvklan.al