Akuzave të PD së drejtuar nga Lulzim Basha se nga Amnistia Penale u liruan 100 persona që ishin dënuar nga Gjykata e Posaçme, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja iu përgjigj këtë të enjte në një interpelancë në parlament. Teksa i kujtoi se para miratimit të amnistisë PS u zotua se nuk do të lirohej asnjë person i dënuar nga Gjykata e Posaçme, Enkelejd Alibeaj kërkoi sqarim nga Manja për numrin real të dënuarve që përfituan prej saj.

Pas pyetjeve të Alibeaj, ministri Manja tregoi shifrën e personave të dënuar nga Gjykata e Posaçme qe perfituan nga amnistia, duke theksuar se asnjë prej tyre nuk ka qenë zyrtar i lartë.

Manja bëri dhe një bilanc të plotë për përfituesit nga Amnistia Penale e cila u votua edhe nga deputetët e PD që drejtohet nga Sali Berisha. Sipas ministrit, nga Amnistia Penale, u liruan nga burgu 868 persona të dënuar. Nga këta, 808 janë liruar menjëherë më 24 Prill, kur nisi zbatimi i Amnistisë. Ndërsa ulje dënimi kanë përfituar 955 të dënuar, nga të cilët 8 gra dhe 2 të mitur.

Por, teksa Manja bënte bilancin e amnistisë, nuk munguan dhe ndërhyrjet e Lulzim Bashës. Ndërhyrjeve të herëpashershme të Bashës, ministri iu përgjigj me ironi. Pavarësisht të dhënave të deklaruara nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj tha se shifrat e publikuara prej tij nuk janë të vërteta dhe se për këtë çështje pret një përgjigje të plotë nga SPAK.

Klan News