Ministri i Drejtësisë takime në burgun e Ali Demit me rastin e 8 Marsit

Këtë 8 Mars, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja zgjodhi të përcojë një mesazh nga burgu i grave në Ali Dem në kryeyqytet. Pas takimit me to, Manja njoftoi se pas amnistisë do të zhvendosen te institucioni i ri i vuajtjes së dënimit në Pogradec, me kushte më të mira.

“Është diskutuar zhvendosja në Pogradec. Ai institucion është drejt përfundimit të mobilimit dhe ne e kemi marrë në dorëzim. Brenda Marsit përfundon me çelësa në dorë i gjithë mobilimi i brendshëm i atij institucioni. Besoj shpejtë do të kemi një vendimmarrje për transferimin, por e them do të jetë pasi të bëhet amnistia.”

Manja tha se me gratë që vuajnë dënimin diskutoi edhe për ligjin e amnistisë dhe mënyrën se si do të përfitojnë.

“Nuk dua të bije në kurthin e shifrave sepe shifrat ndryshojnë në varësi të ditës kur do të votohet ligji në Parlament sepse efektet e amnistisë fillojnë pas miratimit të ligjit në Parlament. Një pjesë e grave përfitojnë plotësisht nga amnistia. E kam një shifër, por nuk dua të spekuloj. Ato që përfitojnë më shumë përfitojnë nga ulja e dënimit.”

Ministri i Drejtësisë bëri thirrje që amnistia të miratohet sa më shpejt, ndërsa shprehu edhe njëherë gatishmërinë për tu tërhequr nga amnistimi i të dënuarve nga Gjykata e Posaçme, ashtu si opozita ka kërkuar.

Klan News