Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë zonën e Prilepit në Maqedoninë e Veriut, mes fshatrave Çaniste dhe Krushevicë, duke përparuar me shpejtësi në terrenin e vështirë malor.
Flakët kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha me bimësi të thatë, ndërsa era ka favorizuar përhapjen e zjarrit. Banorë të zonës dhe zjarrfikës janë përpjekur ta frenojnë me lopata dhe mjete rrethanore, ndërsa në operacion është angazhuar edhe një helikopter policie.
Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Krizat, Stojançe Angellov, ka qenë në terren krah banorëve, teksa përpjekjet për izolimin e flakëve kanë rezultuar të vështira.
“Zjarri ndodhet diku në gjysmë të rrugës mes fshatrave Çaniste dhe Krushevicë, në zonën e Prilepit. Gjatë ditës patëm disa situata shumë të tensionuara. Disa herë arritëm ta vëmë pjesërisht nën kontroll, por më pas zjarri përsëri na doli nga kontrolli. Terreni është jashtëzakonisht i vështirë për t’u punuar, me bar shumë të lartë. Gjatë ditës operoi një helikopter i policisë dhe vendosëm një rezervuar portativ me ujë pranë lumit, për të siguruar një furnizim më të madh me ujë. Efekti ishte i mirë, por zjarri përsëri depërtoi.”
Banorët tregojnë se situata ka qenë veçanërisht e rrezikshme për shkak të erës dhe flakëve që përhapeshin me shpejtësi.
Një nga fermerët e zonës arriti të nxirrte bagëtinë në një zonë të sigurt, ndërsa më pas iu bashkua përpjekjeve për shuarjen e zjarrit.
“Era e përhapi zjarrin dhe ai përpinte gjithçka. Kishim të angazhuar edhe avion, edhe helikopter. Ekipi i tij ishte i jashtëzakonshëm dhe plotësisht i përgatitur, por ishte e pamundur ta ndalnim”, pohoi një banor.
Maqedonia e Veriut është përballur gjatë kësaj vere me një seri zjarresh, të favorizuara nga temperaturat e larta, thatësira dhe kushtet e thata në disa zona të vendit dhe të rajonit të Ballkanit.
Në Europë, Portugalia vazhdon të përballet me zjarret, që kanë përfshirë zonat e Arouca dhe Torre de Moncorvo, në veri të vendit.
Në Arouca janë djegur të paktën 3 mijë hektarë, ndërsa në Torre de Moncorvo rreth 700 hektarë, ndërsa janë angazhuar 517 forca emergjence, 168 automjete dhe katër mjete ajrore zjarrfikëse.
Në Arouca po operojnë 498 efektivë, 164 automjete dhe nëntë mjete ajrore.
Të dyja vatrat, së bashku me një zjarr të tretë në Santo Tirso, kanë mobilizuar më shumë se 1 mijë e 200 zjarrfikës.
Katër zjarrfikës janë raportuar të plagosur gjatë operacioneve për shuarjen e flakëve. Autoritetet vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll zjarret, ndërsa situata mbetet e vështirë për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 