Tirana ishte kryeqendra e sportit. Këtë të diel u zhvillua edicioni i nëntë i maratonës, ku morën pjesë mbi 5 mijë garues në disiplina të ndryshme.
Eventi bëri bashkë në sheshet dhe rrugët e kryeqytetit figura të ndryshme të sportit, artit dhe politikës, që vrapuan për disa kauza. Ky organizim solli në Tiranë shumë të huaj, që shijuan jo vetëm garën, por edhe të dielën pranverore.
“Është eksperienca ime e parë këtu. Kam ardhur nga Xhenova e Italisë. Jam ndjerë shumë mirë. Me të vërtetë jam i kënaqur me këtë garë”, tha një italian, që mori pjesë në maratonë.
“Jam nga Shefield, Angli. Vrapova në gjysmë-maratonë në eventin e sotëm”, tha një britanik.
“Maratona e Tiranës ka vendosur një standard, është një organizim i mahnitshëm, është emocion i paparë të marrim pjesë”, deklaroi një shtetas nga Shqipëria.
“Unë mora pjesë në kategorinë 10 kilometra. Quhem Ticiana, vij nga Milano”, tha një tjetër shtetase italiane.
Në maratonën e Tiranës, përveçse kishte qytetarë të thjeshtë, morën pjesë edhe sportistë që në karrierën e tyre kanë zhvilluar shumë herë garën mbi 42 kilometra.
Jo më kot, podiumi u dominua nga kenianët, si në kategorinë e femrave, ashtu edhe të meshkujve. Fituesi i maratonës 42 km për meshkuj është keniani Benard Kiprotich, i cili realizoi kohën 2:21:35.
Në kategorinë e femrave, e para doli Chelangat Sang, me kohën 2:39:21.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
