Përpara vizitës së tij në Athinë të martën, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, nuk përjashton perspektivën e Hagës për përcaktimin e Zonës Ekskluzive Ekonomike mes Greqisë dhe Shqipërisë.
“Qeveria shqiptare mbetet e hapur dhe plotësisht e angazhuar për promovimin e dialogut për të gjitha çështjet dypalëshe që janë pezull. Ne marrim pjesë në këto diskutime me frymën e respektit të ndërsjellë, me qëllimin për të arritur zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme që pasqyrojnë interesin tonë të përbashkët për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe stabilitet rajonal.”
Kryediplomati Hasani është optimist në lidhje me të ardhmen e marrëdhënieve greko-shqiptare.
“Nëpërmjet dialogut të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit konstruktiv, ne besojmë se është e mundur të adresohen të gjitha çështjet përkatëse në mënyrë që përputhen me rregullat ndërkombëtare, duke u bazuar në lidhjet e thella historike dhe afërsinë gjeografike që lidhin dy popujt tanë prej brezash.”
Shefi i diplomacisë shqiptare përsërit objektivin që të fillojë së shpejti mbyllja e kapitujve dhe përfundimi i negociatave deri në vitin 2027, duke e përgatitur Shqipërinë për anëtarësim deri në vitin 2030.
“Objektivi ynë është të fillojmë së shpejti mbylljen e kapitujve dhe të përfundojmë negociatat deri në vitin 2027, duke përgatitur Shqipërinë për anëtarësim deri në vitin 2030.”
Hasani shpjegon edhe votën masive pro Ramës nga shqiptarët që jetojnë në Greqi.
“Mbështetja e fortë nga shqiptarët që jetojnë në Greqi pasqyron besimin e vazhdueshëm të tyre në udhëheqjen e kryeministrit Rama, përkushtimin e qeverisë për reforma thelbësore dhe vizionin tonë të përbashkët për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.”
Shqipëria dhe Greqia, sipas Hasanit, synojnë forcimin e lidhjeve jo vetëm në kontekstin evropian, por edhe në fusha si infrastruktura, burimet e rinovueshme të energjisë dhe shkëmbimet ndërnjerëzore.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 