Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi që synon ti japë fund konfliktit të armatosur mes dy vendeve dhe të hapë rrugën drejt një marrëveshjeje të përhershme paqeje.

Dokumenti është firmosur nga presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian, duke hyrë menjëherë në fuqi.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Trump e nënshkroi memorandumin në Pallatin e Versajës, pak para një darke zyrtare të organizuar nga presidenti francez Emmanuel Macron, në kuadër të samitit të G7-ës.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur Trump firmos dokumentin, ndërsa Macron e duartroket pranë tij dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, qëndron në sfond.

Teksa po largohej nga darka, Trump u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve nga distanca ku u thotë që “Është nënshkruar, po, është nënshkruar.”

Më pas, Shefi i Shtëpisë së Bardhë u largua nga Franca me një pakt të nënshkruar.

“Samiti i G7 dhe darka ishin një sukses”, u shpreh presidenti francez, Emmanuel Macron gjatë një deklarate për gazetarët.

“Kjo marrëveshje midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës u nënshkrua zyrtarisht nga presidenti pikërisht këtu në Versajë dhe ky është një lajm shumë i mirë. Unë besoj se është një marrëveshje që bën të mundur përfundimin e konfliktit, që mundëson paqen, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit pa taksa, me një periudhë 60-ditore që do të fillojë të përfundojë një marrëveshje mbi çështjet bërthamore, çështjet balistike dhe aktivitetet rajonale. Pra, ne do të vazhdojmë të punojmë, por në çdo rast ky është një moment paqeje”, tha Macron.

Më herët, marrëveshja ishte nënshkruar në mënyrë elektronike edhe nga zëvendëspresidenti amerikan JD Vance dhe kryetari i Parlamentit iranian Mohammad Bagher Ghalibaf.

Memorandumi parashikon një ndalim të menjëhershëm të luftimeve në të gjitha frontet dhe zgjatjen e armëpushimit aktual me 60 ditë, periudhë gjatë së cilës palët do të zhvillojnë negociata intensive për arritjen e një zgjidhjeje afatgjatë.

Afati mund të zgjatet me pëlqimin e ndërsjellë të Uashingtonit dhe Teheranit.

Një nga pikat më të rëndësishme të dokumentit është angazhimi i Iranit për të mos zhvilluar dhe për të mos siguruar armë bërthamore.

Marrëveshja përfshin gjithashtu rifillimin e plotë të trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit si dhe heqjen graduale të sanksioneve amerikane ndaj Iranit.

PIKAT KRYESORE TË MARRËVESHJES SHBA – IRAN

-Ndërprerje e menjëhershme dhe e përhershme e operacioneve ushtarake

 -Respektim i sovranitetit dhe integritetit territorial të të dy vendeve

-Negociata për marrëveshje përfundimtare brenda 60 ditësh, me mundësi zgjatjeje

-Heqje graduale e bllokadës detare amerikane

-Kalim i sigurt i anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit për 60 ditë

-Hartim i një plani ekonomik prej të paktën 300 miliardë dollarësh për Iranin

-Heqje e sanksioneve amerikane ndaj Iranit

-Angazhim i Iranit për të mos zhvilluar armë bërthamore

-Ruajtje e status quo-së deri në arritjen e marrëveshjes finale

-Lehtësim i eksporteve iraniane të naftës dhe produkteve të saj

-Zhbllokim i fondeve dhe aseteve iraniane të ngrira

-Krijim i një mekanizmi monitorues për zbatimin e marrëveshjes

-Nisje e negociatave për marrëveshjen përfundimtare pas zbatimit të pikave kryesore

-Miratim i marrëveshjes finale përmes një rezolute detyruese të -Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Përfaqësues të të dy vendeve pritet të takohen së shpejti në Zvicër për të diskutuar mekanizmat e zbatimit të memorandumit dhe kushtet e një marrëveshjeje përfundimtare.

Klan News

/tvklan.al