Një javë pasi deputetët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike bashkuan votat në Kuvend për një rezolutë për integrimin në BE, të enjten mund të përsëritet e njëjta situatë. Tv Klan mëson se palët kanë arritur një tjetër dakordësi që lidhet me ndryshimet në rregulloren e Kuvendit.
Sipas këtij drafti që do të marrë miratimin fillimisht në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, Partia Socialiste është tërhequr nga propozimi që çdo projektligj i kërkuar nga Bashkimi Europian të shqyrtohej brenda një jave me procedurë të përshpejtuar.
Një tjetër lëshim që ka bërë mazhoranca është edhe tërheqja nga propozimi për të përgjysmuar në 5 minuta kohën e diskutimit të deputetit në seancë plenare. Socialistët kanë hequr dorë edhe nga ideja që drejtuesit e institucioneve të pavarura të mos raportonin në seancë plenare, duke pranuar variantin që raportimet të kryhen në secilin komision sipas fushave përkatëse.
Ndryshimet prekin edhe disa nga rregullat e funksionimit të komisioneve parlamentare dhe dhënien e masave disiplinore.
Kryesimi i grupeve të miqësisë do të përcaktohet nga Kryetari i Kuvendit në këshillim me kryetarët e grupeve parlamentare, duke mbajtur parasysh përfaqësimin politik sipas përpjesëtimit që zënë në Kuvend. Edhe Sekretariati për Etikën do të ketë përfaqësim të barabartë mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa përcaktuese do të jetë vota e sekretarit.
Çdo kryetar grupi mund të kërkojë ndërprerje të seancës nëse ajo zgjat pas orës 22:00, por vendimi do të merret me votim.
Ndryshimet në rregullore erdhën pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi mënyrën si u miratua struktura e re e Kuvendit në nisje të kësaj legjislature. Megjithatë, struktura nuk do të ndryshojë dhe komisionet parlamentare do të mbeten 11.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 