Kryeministri Edi Rama ka shprehur edhe njëherë publikisht mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së, të cilët më 16 shtator do të presin verdiktin nga Gjykata e Hagës për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Kreu i qeverisë shqiptare thekson se Hashim Thaçi do të triumfojë me forcën e tij.

“Liri për çlirimtarët. Farsa është në ditët e fundit dhe gjithçka pret njeriu nga autorët e saj, por siç e ka thënë vetë Hashimi, lirinë nuk ia merr dot askush, askund, e ashtu siç Kosova triumfoi duke besuar te liria edhe kur s’kishte askënd e asgjë përpos etjes së vet për liri, ashtu do të triumfojë edhe Hashim Thaçi me forcën e të vërtetës së tij, të cilën vitet e burgut veç e kanë bërë më të madhe bashkë me mbështetjen e krejt shqiptarisë.”

Mesazhin e tij kryeministri e shoqëron me një video ku shfaqen disa nga momentet me rëndësi historike për krijimin e shtetit të Kosovës, si dhe për vetë ish-krerët e UÇK-së.

Në këtë video nuk mungon momenti kur Hashim Thaçi deklaron Kosovën shtet të pavarur, si dhe deklarata e tij në vitin 2020, kur ai vendos të përballet me drejtësinë në Gjykatën e Hagës.

Videoja mbyllet me pamjet nga protestat e shqiptarëve për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.

Që prej nëntorit të vitit 2020, 4 ish-krerët e UÇK-së qëndrojnë të paraburgosur në Hagë. Në shkurt të këtij viti, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi dolën për herë të tretë para Gjykatës Speciale për të dhënë deklarimet e tyre, ndërsa procesi ka nisur në prill 2023. Në deklarimet e secilit u theksua lufta për liri, për pafajësi, për Kosovë të pavarur, masakrat nga regjimi serb dhe krenaria për UÇK-në. Avokatët mbrojtës kërkuan pafajësinë e tyre dhe mohuan akuzat e ngritura nga prokuroria, duke i cilësuar si të pabazuara në fakte apo të vërteta.

Tv Klan

/tvklan.al