Kolegji Universitar Wisdom është në proces mbyllje. Ministria e Arsimit dhe Sporteve deklaron se vendimi ka ardhur pas një kontrolli të ushtruar në të gjitha institucionet arsimore, përfunduar në Korrik të këtij viti.

Në një deklaratë zyrtare, ministria shpjegon se nga verifikimet e kryera janë vërejtur shkelje ligjore, gjatë ushtrimit të veprimtarisë akademike.

Nisur nga kjo, Ministria thotë se për vitin e ri akademik 2024-2025, nuk ka çertifikuar kuota pranimi për këtë, Kolegjin Universitar Wisdom.

Ky reagim i ministrisë vjen pas një operacioni të zhvilluar në Itali, ku një hetimi disa mujor ka ngritur dyshime se në Kolegjin Universitar Wisdom lëshoheshin diploma dhe certifikata false.

Nisur nga kjo, në pranga kanë përfunduar 9 persona, ndërsa dhjetra të tjerë janë vënë në hetim. Mes të arrestuarve janë dhe pronarët e këtij kolegji.

Nga hetimet e zhvilluara, autoritetet italiane thonë se për një diplomë apo certifikatë të falsifikuar të arrestuarit me në krye pronarët e kolegjit përfitonin deri në 8 mijë Euro.

Për të vënë në jetë këtë skemë, mediat e vendit fqinj raportojnë se pronarët e kolegjit universitar Wisdom bënin dhurata në formë ryshfeti edhe tek një zyrtar në administratën shqiptare.

Korruptimi i një zyrtareje të lartë në Shqipëri mund jetë pjesë e një hetimi për të sqaruar vërtetësinë e këtij lajmi apo për ta identifikuar atë.

Tv Klan