Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe ai i Doganave, Besmir Beja, inspektuan këtë të martë masat e marra për menaxhimin e fluksit të lartë në aeroportin e Rinasit. Hita tha se gjatë sezonit në aeroport përpunohen rreth 50 deri në 56 mijë pasagjerë në ditë.
“Gjatë sezonit turistik, të gjitha shërbimet e Policisë Kufitare kanë kaluar në regjim shërbimi 12-orësh, duke rritur me rreth 20% praninë e punonjësve në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit. Gjithashtu, është ulur nga 16 në 12 vjeç mosha minimale e përdoruesve të sistemit të kontrollit automatik e-Gate, duke rritur ndjeshëm numrin e pasagjerëve që përpunohen në mënyrë automatike dhe duke shkurtuar kohën e pritjes”.
E rëndësishme për Hitën është që paralelisht me përpunimin e shpejtë dhe të sigurt të pasagjerëve, të goditen edhe paligjshmëritë.
“Paralelisht vijojnë kontrollet e bazuara në analizën e riskut për goditjen e çdo aktiviteti kriminal”.
Ai nënvizoi se bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave ka sjellë rezultate konkrete në goditjen e trafikut të lëndëve narkotike, kontrabandës dhe migracionit të paligjshëm. Drejtuesi i Drejtorisë së Doganave, Besmir Beja, shtoi se bashkë me Policinë ata i janë përgjigjur fluksit, duke u kujdesur të godasin edhe paligjshmërinë.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 