Zëvendës ministrja e Shëndetësisë, njëherësh dhe anëtare e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli nuk ka përjashtuar masa të tjera kufizuese gjatë festave të fundvitit.

Në një deklaratë për mediat, Rakacolli tha se asgjë nuk përjashtohet, duke shtuar se nëse do rriten numrat e të infektuarve dhe të shtruarve në spital do merren masa kufizuese.

Ne jemi disa javë larg Krishtlindjeve dhe shohim që situata po vijon e njëjtë. Nëse do ndryshojmë për më mirë, nëse qytetarët bashkëpunojnë me autoritetet këto masa do ndryshojnë për mirë. Nëse ato do ndryshojnë për keq atëherë do të qëndrojnë në fuqi, por dhe mund të ketë masa të tjera” u shpreh Rakacolli.

Më tej anëtarët e Komitetit të Ekspertëve u shprehën se qytetarët duhet të vijojnë të respektojnë masat pasi vetëm në këtë mënyrë mund të përfundojë pandemia. Po ashtu ata kërkuan që këtë vit festat të bëhen ndryshe dhe të gjithë të festojnë në familjen e vogël./tvklan.al