Masakra me thikë në Southport ka nxitur kaos dhe protesta në rrugët e qyteteve kryesore në Britaninë e Madhe.
Demonstruesit në ditën e dytë u mblodhën në rezidencën e kryeministrit në Downing Street. Nuk kanë munguar përleshjet mes qytetarëve dhe efektivëve të policisë disa prej të cilëve edhe kanë marrë lëndime të lehta.
Autoritet britanike kanë arrestuar më shumë se 100 persona të cilët akuzohen për prishje të rendit publik dhe sulm ndaj uniformave blu.
Gjatë demonstratës në kryeqytetin britanik, disa brohoritën emrin e aktivistit të ekstremit të djathtë Tommy Robinson , ndërsa të tjerë drejtuan thirrje si “Sundoni Britaninë”, “Shpëtoni fëmijët tanë” dhe “Ndaloni varkat e emigrantëve”.
Trazirat shpërthyen pas nxitjes së informacioneve të pavërteta në internet për të dyshuarin nga mbështetës të ekstremit të djathte. Ata pretendojnë se 17-vjeçari qe kreu vrasjet është një azilkërkues dhe se është i lidhur me islamin ekstrem.
17-vjeçari, identiteti i të cili nuk mund të zbulohet për publikun për shkak të moshës së tij, është akuzuar për tre akuza për vrasje , 10 akuza për tentativë vrasje.
Policia nuk ka ndarë shumë detaje për ngjarjen e rëndë , por ata thonë se masakra nuk është e lidhur me terrorizmin dhe se i riu ka lindur në Britaninë e Madhe, duke hedhur poshtë spekulimet për origjinën e tij.
Përveç vrasjes së tre vajzave të moshës gjashtë deri në nëntë, sulmi i së hënës në qytetin normalisht të qetë në Anglinë veriperëndimore la të plagosur tetë fëmijë të tjerë. Pesë mbeten në gjendje kritike në spital, së bashku me dy të rritur që u përpoqën t’i mbronin.
Klan News