Pas një hetimi 6 mujor, arrestohet nga policia një 20-vjeçar i identifikuar si Ermes Hoxhalli, i cili dyshohet se përmes një skeme mashtrimi u premtonte nxënësve e mësuesve, udhëtime falas në SHBA.

Konkretisht i riu përmes një identiteti të rremë, duke u angazhuar si zyrtarë i Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve të tjera në varësi të saj, kishte arritur të prezantonte në disa shkolla projektet e ashtuquajtura “Let’s Talk Together about US 23” and “Let’s Talk Together about US 24”.

Duke i ofruar bursa studimi dhe mundësinë për të shkuar në SHBA, 20-vjeçari Hoxhalli kishte ngritur një skemë që dyshohet se do t’i krijonte shumë të ardhura në të ardhmen.  Por denoncimi i ambasadës së SHBA, vuri në lëvizje policinë dhe prokurorinë e Tiranës duke zbuluar personin që fshihej pas kësaj skeme.

Po në kuadër të këtij hetimi të nisur 6 muaj më parë, në proces verifikimi kanë qenë dhe drejtues të disa gjimnazeve në kryeqytet si dhe mësues të tyre.

Lidhur me këtë operacion të realizuar, ka reaguar dhe vetë Ambasada Amerikane e cila ndër të tjera thotë se 20-vjeçari, për të vënë në jetë këtë skemë mashtrimi falsifikonte “dokumente që mbanin vulat dhe emrat e zyrtarëve të ambasadës”.

Tv Klan