Prokuroria e Tiranës sekuestroi llogari bankare me vlerë 10 milionë Euro të 10 persona dhe 3 subjekteve financiare të mikrokredive, të cilët janë nën hetim për pastrim parash. Sipas njoftimit për mediat, subjektet Microcredit Albania’ dhe “Final” shpk kanë depozituar vlera të konsiderueshme parash në lekë dhe valutë të huaj në banka të nivelit të dytë si dhe obligacione të ndryshme. Vlerat monetare dhe obligacionet janë të personave nën hetim Arben Meskuti, Kejda Seferi, Elda Ibro dhe persona të lidhur me ta.

Prokuroria thotë se këto kompani kanë nxjerrë fitime të konsiderueshme në raport të zhdrejtë me vlerën e kredive të akorduara për qytetarët. 8 prej 9 personave të përfshirë në këtë skemë mashtrimi janë lënë në masë sigurie arrest në burg dhe arrest në shtëpi.

Nga dosja hetimore rezulton se këto shoqëri morën nga një bankë e nivelit të dytë 3999 kredi që konsiderohen të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej rreth 7.3 milionë euro.

Prokuroria thotë se u përdor një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimerrnin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje. Më pas ata u bllokonin nëpërmjet shoqërive përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat e kredimarrësve. Në një prej tyre për një detyrim të prapambetur prej 347.958 lekësh, Micro Credit Albania ka sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme të një shtetasi.

Klan News