03 nëntor 2026 – Një skemë ndërkombëtare mashtrimi online nëpërmjet bursave fiktive, është goditur nga Europol, Eurojust, në bashkëpunim dhe me Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Shtatë persona janë arrestuar me qëllim ekstradimin drejt Gjermanisë ndërsa dëmet e shkaktuara viktimave të rënë pre e mashtrimit, përllogariten mbi katër milionë euro.

Mashtruesit premtuan fitime të mëdha brenda një periudhe të shkurtër kohore përmes tregtimit të kriptovalutave, monedhave të huaja dhe aksioneve. Hetimet kanë nisur që prej vitit 2022 pas një denoncimi të një çifti gjerman, të cilët humbën kursimet.
Rrjeti kriminal furnizohej me faqe interneti mashtruese nga Izraeli dhe Qipro, që në dukje ishin legjitime. Nga hetimet janë verifikuar kompani që operonin në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.

Rrjeti kriminal operonte me të njëjtën skemë mashtrimi si call center-at e tjerë të goditur më parë. Klientëve iu tregoheshin fitime të fryra duke e bërë platformën të dukej legjitime. Mandej, klientët josheshin për investimeve më të mëdha e në momentin që viktimat kërkonin tërheqjen e fitimit, fillonte zvarritja për t’i penguar. Në fund, kompanitë zhdukeshin pa gjurmë, e këtu viktimat kuptonin që kishin humbur të gjitha paratë. Autoritetet sekuestruan më shumë se 100 servera, së bashku me prova dhe asete të tjera.












Botërori 2026 