Vetëm 20 kilometra larg Vlorës, në fund të kësaj rruge ndodhet Mavrova, një fshat dikur kishte qindra familje, sot ruan kujtimet, traditat dhe gjurmët e një qytetërimi të lashtë.
Mes shtëpive të vjetra, kujtimeve të banorëve, ullinjve dhe historisë që mbart në tokën e saj, Mavrova është një histori më vete. Një histori boshatisjeje, por edhe krenarie për atë që ka qenë dhe për atë që vazhdon të ruajë.
Agim Dauti, një nga banorët më të vjetër, ndalet te vështirësitë e rrugës që të çon drejt fshatit. Një udhëtim që për banorët është pjesë e përditshmërisë, por që për këdo që e përshkon për herë të parë, bëhet një dëshmi e izolimit me të cilin përballen këto zona.
Por rruga nuk është thjesht një problem infrastrukture. Për banorët, ajo është një prej arsyeve që jeta këtu është bërë gjithnjë e më e vështirë. Një vështirësi që ndër vite ka ndikuar edhe në largimin e njerëzve.
“Mundohemi. Nuk shkojmë dot as në Vlorë, as më tutje”, tha banori.
“Këtë rrugën e fshatit e kemi bërë vetë. E ka bërë ata djemtë që kanë qenë jashtë shtetit, të gjitha familjet e Mavrovës kanë qenë jashtë shtetit, që nga Greqia deri në Angli ata e kanë investuar që u bë ajo. Ajo ka qenë për ibret”, tha një tjetër banor.
Banorët kujtojnë Mavrovën e dikurshme, jetën në fshat, numrin e madh të familjeve dhe ndryshimin që ka pësuar vendbanimi gjatë dekadës së fundit.
Ka qenë një kohë kur Mavrova kishte një tjetër pamje. Rreth 900 familje, sipas banorëve. Sot, shumë prej familjeve janë larguar. Janë të paktë ata që kanë zgjedhur të qëndrojnë, të ruajnë pronën, kujtimet dhe lidhjen me vendlindjen.
“Shkolla ka qenë me 250 nxënës sot s’ka asnjë. Imagjino është kthyer është një haur për gomarë”, tha banori.
Por Mavrova nuk është vetëm historia e një fshati që po boshatiset. Nën gjurmët e jetës së sotme fshihet një histori shumë më e hershme, ajo e qytetit antik të Olimpias.
Në kodrën, mbi luginën e Shushicës, ndodhen rrënojat e një prej qendrave të rëndësishme të lashtësisë në këtë trevë. Qyteti antik i Olimpias është identifikuar me fortifikimin e Mavrovës, një vendbanim që lidhet me botën ilire dhe bashkësinë e amantëve.
Sipas studimeve arkeologjike, gjurmët e banimit në këtë kodër shkojnë deri në shekullin VI para Krishtit. Më vonë, gjatë shekujve IV-III para Krishtit, qyteti u zhvillua dhe u pajis me një sistem të zgjeruar fortifikimi.
Muret rrethuese prej blloqesh të mëdha guri dëshmojnë për organizimin dhe rëndësinë e kësaj qendre. Një tjetër dëshmi e identitetit të saj janë monedhat prej bronzi me emrin e qytetit, si edhe gjetjet arkeologjike që ndihmuan në identifikimin e tij.
Mjaftime Likaj është martuar në Mavrovë para shumë vitesh. Ajo flet për qytetin antik të Olimpias, turistët që e vizitojnë dhe tregon se cilat janë shtëpitë që u ndërtuan mbi kala. Një prej tyre është shtëpia ku ajo jeton sot.
“Vijnë turistë këtu, vijnë po që s’ka rrugë. Kjo është gjithë puna. Vijnë nga Gjermania se djali im jeton në Gjermani edhe vijnë që komunikon, viziton kalanë. Po janë të gjithë edhe kanë ardhur edhe nga Franca edhe nga Anglia nga çdo vend ardhur”, tha Mjaftime Likaj.
Olimpia e lashtë, është një pasuri që i jep Mavrovës një identitet përtej kufijve të një fshati të vogël. Këtu historia nuk gjendet vetëm në libra. Ajo është pjesë e peizazhit, e gurëve dhe e tokës ku sot vazhdojnë të jetojnë pak banorë.
Këtu, në Mavrovë, kontrasti është i dukshëm. Nga njëra anë, shtëpi që kanë mbetur pa banorë dhe rrugica që nuk kanë më gjallërinë e dikurshme. Nga ana tjetër, një qetësi që vështirë se mund ta gjesh në qytet.
Mes gjithë ndryshimeve, ka diçka që vazhdon të mbetet pjesë e pandarë e jetës në Mavrovë: tradita e punës me tokën.
Ullinjtë janë një prej pasurive të kësaj zone. Për shumë familje, sezoni i vjeljes është më shumë sesa një periudhë pune. Është një ritual që përsëritet çdo vit, një traditë e trashëguar brez pas brezi.
Në këtë periudhë, fshati merr një tjetër gjallëri. Banorët i rikthehen ullishtave dhe mbledhin prodhimin.
“Më i vogli është 68, më i madhi është 82 vjeç. Të rinjtë janë larguar. Ja kemi ullinjtë aty, mendojmë si do t’i vjelim tani”.
“Vetëm atë rrugën kemi aty për ujë. Po malli na vjen dy orë në ditë, një orë e gjysmë në ditë. Duam të shkojmë te tokat, na ngelin ullinjtë pa velur”.
Për ta, ulliri nuk është thjesht një burim të ardhurash. Është pjesë e identitetit të vendit, një trashëgimi që nuk duan ta braktisin.
Sot, Mavrova përballet me sfidat e një fshati që ka humbur një pjesë të madhe të banorëve të tij. Megjithatë, jeta këtu vazhdon përmes atyre që kanë zgjedhur të qëndrojnë, të punojnë tokën dhe të ruajnë traditat.
Mes rrënojave të qytetit antik të Olimpias, ullishteve dhe shtëpive të vjetra, Mavrova mbetet një vend me vlera historike dhe natyrore, që pret më shumë vëmendje dhe promovim.
/tvklan.al












Botërori 2026 