Është Max Verstappen princi i Monakosë dhe i kampionatit të Formula 1. Piloti i Red Bull mori një fitore prestigjioze në Çmimin e Madh të Monakosë. I ndihmuar edhe nga paraqitja zhgënjyese e Luis Hamiltonit, ai merr komandën në klasifikimin e përgjithshëm. Piloti britanik i Mercedesit e mbylli garën në vend të shtatë.

Ferrarit ia riktheu buzëqeshjen Karlos Sainz, pas gafës së bërë me Çarles Leklerk, i cili edhe pse realizoi pole-pozition në provat zyrtare, nuk mori pjesë në garë si pasojë e një problemi me makinën. Lando Norris i rezistoi presionit të Sergio Perez dhe ngjitet në podium.

Për skuderinë e Mercedesit, kjo garë ishte për t’u harruar. Valtteri Bottas u dorëzua në pit stop, për shkak të një problemi teknik të makinës.  Për “Kokëkuqen”, gëzimi për vendin e dytë del me vështirësi. Pak minuta para nisjes, makina e Leklerk shfaqi probleme dhe nuk u fut në garë.

Defekti befasoi tifozët e Ferrarit, përfshirë edhe ata VIP si Princi Albert i Monakosë dhe presidenti Xhon Elkan. Pak orë para garës, skuderia njoftoi se makina ishte në rregull dhe nuk kishte probleme me kambion, pas incidentit në provat zyrtare të shtunën. Në vend të katërt doli Sergio Perez, pastaj e Aston Martin e Sebastian Vettel dhe në vend të gjashtë Pier Gasly.

Klan News