Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, është shprehur këtë të martë se nuk ka pasur asnjë person brenda godinës së Teatrit Kombëtar gjatë momentit të shembjes.

Ai tha se deklaratat e artistëve për persona brenda gjatë shkatërrimit janë të pavërteta. Po ashtu, Mazniku theksoi se janë hequr të gjitha rekuizitat dhe janë depozituar në një vend të sigurt.

Blendi Fevziu: Ka pasur një pretendim dhe nga zoti Budina është konfirmuar që ka pasur njerëz brenda?

Arbjan Mazniku: E pavërtetë. Është 100% e pavërtetë.

Blendi Fevziu: Zoti Budina pretendon që ka qenë Neritan Liçaj dhe disa persona të tjerë.

Arbjan Mazniku: Neritanin a e patë teksa po dilte nga objekti.

Blendi Fevziu: Është shembur duke lënë brenda rekuizitat, dokumentet dhe madje sot pashë foto të regjistrimeve të teatrove përpara se të filloheshin nga televizioni. Thënë ndryshe gjithë trashëgimia e 70 viteve.

Gjergj Bojaxhi: E gjitha e hequr me fadroma.

Arbjan Mazniku: Të gjitha rekuizitat janë hequr dhe depozituar.

Blendi Fevziu: Edhe shiritat e regjistrimeve?

Arbjan Mazniku: Çdo gjë. Të gjitha pjesët janë hequr, janë stivosur. Pasi është goditur elementi i parë, janë marrë 6 orë për të zbrazur gjithë teatrin./tvklan.al