Duke nisur nga data 1 Shtator të gjithë punonjësit e bashkive në mbarë vendin do të paguhen njësoj. Unifikimi i pagave sipas vendimit të marrë në mbledhjen e qeverisë parashikon që një jurist, ekonomist apo arkitekt, si në Bashkinë e Tiranës, ashtu edhe në atë të Konispolit do të kenë pagë të njëjtë.

Rritja e pagave sipas Ministrit për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku kap nivelet nga 40% deri në dyfishim të pagës për disa profesione specifike dhe ka për qëllim shtimin e stafeve të bashkive.

Mazniku njoftoi gjithashtu se, duke nisur nga viti i ardhshëm do të ndryshojë edhe formula e ndarjes së transfertës së pakushtëzuar për bashkitë, që për 2023-in është 36.5 miliardë Lekë.

Qeveria ka miratuar dhe një vendim që lehtëson angazhimin ditor në punë të punonjësve të administratës publike.

Sipas ministres Pirdeni fleksibiliteti i orareve në punë do të shtojë nivelin e performancës së këtyre punonjësve.

Qeveria ka hequr gjithashtu kufizimin sipas të cilit punonjësit nuk mund të merrnin leje vjetore në një kohëzgjatje më pak se një javë kalendarike. Tashmë është përcaktuar se kohëzgjatja e pushimeve vjetore është 22 ditë pune, ku janë shtuar dy ditë pushim.

Klan News