Festa e Liqenit ishte kryefjala e kësaj fundjave në Shkodër, duke tërhequr vizitorë vendas dhe të huaj në brigjet e Liqenit të Shkodrës. Aktivitetet sportive dhe turistike, shëtitjet me kanoe, biçikletat në ujë, si edhe gatimet tradicionale të servirura në Shirokë dhe Zogaj, krijuan një atmosferë të veçantë festive.

Turistët u shprehën të mahnitur nga peizazhet unike të liqenit, ndërsa eksplorimi mes zambakëve të ujit dhe natyrës së paprekur e ktheu vizitën në një eksperiencë të paharrueshme.

“Jam nga Shtetet e Bashkuara. Kam rreth një muaj që jam këtu dhe do të qëndroj edhe disa javë të tjera. Kisha dëgjuar në internet për veriun e Shqipërisë dhe sa i bukur është. Ka male kudo, ndaj pse të mos e përjetosh një vend të tillë? Deri tani ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Erdha spontanisht dhe njerëzit janë jashtëzakonisht të sjellshëm e mikpritës. Është fantastike. Ka shumë gjëra për të bërë, sidomos në këtë stinë. Pashë që po organizoheshin koncerte muzikore dhe aktivitete të ndryshme. Ndihet që qyteti po zhvillohet shumë.”

“Jam nga Zvicra. Është hera ime e parë në Shqipëri. Më pëlqen shumë. Liqeni ka një natyrë të mrekullueshme, me florë dhe faunë të pasur, ndërsa qyteti është gjithashtu shumë i bukur. Nuk e prisja që natyra të ishte kaq e veçantë dhe që të kishte kaq shumë male ku mund të bësh ecje. Është vërtet fantastike.”

“Jam nga Gjermania. Po, është hera ime e parë këtu. Është një vend i mrekullueshëm, plot natyrë, vërtet shumë i bukur. Edhe qyteti është i mrekullueshëm. Njerëzit kanë qenë shumë të sjellshëm. Vetë qyteti është mahnitës, me liqenin dhe malet që e rrethojnë. Është një bukuri e rrallë. Është kënaqësi të kesh ujin, liqenin dhe të shohësh të gjithë shpendët. Është një vend ideal për t’u larguar nga zhurma e qytetit dhe për të shijuar natyrën.”

Në qendër të festimeve ishte Zogaj, i cili mirëpriti Festën e Liqenit me një program të pasur aktivitetesh, traditash dhe kulture. Vizitorët patën mundësinë të njihen me historinë e liqenit, bukuritë natyrore të zonës dhe mikpritjen karakteristike të banorëve, të cilët e bënë çdo mysafir të ndihej si në shtëpi.

Festa e Liqenit konfirmoi edhe një herë potencialin e Shkodrës si një prej destinacioneve më tërheqëse turistike të verës, duke promovuar natyrën, traditën dhe mikpritjen që e karakterizojnë këtë zonë.

Tv Klan

/tvklan.al