Në qytetin e Librazhdit u zhvillua edicioni i radhës i “Festës së Mjaltit”, një panair i kthyer tashmë në traditë prej afro një dekade. Bletërritës nga Librazhdi dhe rajone të tjera u mblodhën për të promovuar produktet e tyre, ku mjalti i kësaj zone njihet në të gjithë vendin për cilësinë e lartë për shkak të poliflorës, natyrës së egër dhe florës së pasur.

Gjatë panairit, bletërritësit ndanë përvojën e tyre në mbarështimin e bletëve, duke nënvizuar kushtet natyrore të rajonit, por edhe sfidat e vitit.

Një tjetër bletërritës i ardhur nga Elbasani kërkoi ndërhyrjen e shtetit për të shmangur falsifikimet dhe hyrjen e mjaltit industrial nga Maqedonia e Veriut, si dhe ngriti shqetësimin mbi rrezikun që vjen nga përdorimi i pesticideve.

Ndërkohë, një tjetër mbarështues tregoi se prodhimi i këtij viti ka shënuar rënie dhe kërkoi kryerjen e analizave zyrtare për të vërtetuar sigurinë e produktit.

Sipas të dhënave të fundit zyrtare, në territorin e Bashkisë së Librazhdit operojnë rreth 200 bletërritës të regjistruar me më shumë se 6,500 koshere, ndërsa mjalti i zonës, veçanërisht ai i gështenjës, pishës dhe luleshtrydhes, mbetet ndër më të kërkuarit në tregun vendas dhe atë të jashtëm.

Tv Klan

/tvklan.al