Pjesëmarrëse rreth 100 vende si dhe BB, FMN dhe BERZH

Mbahet sot në Bruksel Konferenca e Donatorëve për rindërtimin nga tërmeti e organizuar nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen. Rreth 100 shtete do të jenë pjesë e konferencës që mbahet nën moton “Bashkë për Shqipërinë”.

Pjesë e konferencës do të jenë dhe përfaqësuesit e institucioneve të rëndësishme financiare ndërkombëtare si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar apo BERZH.

Takimi do të nisë me firmosjen e marrëveshjes për fondin prej 15 milionë eurosh që Komisioni vendosi për të ndihmuar vendin tonë për të përballuar kostot e tërmetit.

Pas takimit ku qeveria shqiptare synon të gjejë mbështetje financiare për të bërë të mundur zbatimin e programit të rindërtimit, fatura financiare e të cilit e kalon 1 miliard euro, kryeministri Rama dhe presidentja Von Der Leyen do të dalin përpara gazetarëve në një konferencë për shtyp.

Tv Klan