Parisienët besonin se me ofertën e fundit do ta bindnin yllin francez, por po detyrohen ta shesin

PSG-ja mund të mos ketë zgjidhje tjetër përveçse ta shesë Kilian Mbapenë, pasi sulmuesi refuzoi edhe një tjetër ofertë të majme nga drejtuesit parisienë për të rinovuar.

Klubi i ofroi sulmuesit 22-vjeçar një kontratë të re pesë vjeçare sipas radios franceze RMC me qëllim që përfundimisht ta mbyllte këtë çështje, por përgjigja ishte sërish negative.

Talenti francez është i vendsour që të ndryshojë skuadër dhe nisur nga kjo PSG-ja është e detyruar që ta shesë atë që në këtë merkato verore, me qëllim që të përfitojë diçka financiarisht dhe jo që lojtari të ikë si futbollist i lirë në verën e ardhshme.

Në ofertën e bërë ishte opsioni për të rinovuar edhe me një vit tjetër, për më tepër që edhe pagesa do të ishte e lartë, por sërish Mbappe do të ishte i treti në listën e më të paguarve të klubit, pas Leo Mesit dhe Nejmarit.

Destinacioni më i mundshëm i sulmuesit 22-vjeçar është Real Madridi. “Galaktikët” e kanë kapitalin e nevojshëm për të sjellë një yll në “Bernabeu” pasi kanë bërë shitje që u kanë dhënë mundësinë të grumbullojnë rreth 300 mln Euro.

Për më tepër që Reali ka qenë një ëndërr e vetë Mbappesë, e gjithashtu objektiv i madrilenëve prej disa sezonesh.

Klan News