Kapiteni i Francës, Kylian Mbappe, ishte edhe një herë protagonisti kryesor në suksesin e “Gjelave” ndaj Irakut me rezultatin 3 me 0, duke siguruar kualifikimin e Francës në fazën e 1/16-ve të finaleve të Botërorit 2026. Sulmuesi francez realizoi dopietën e tij të dytë në këtë turne, në ndeshjen e tij të 100-të me kombëtaren.
Me këto realizime, 29-vjeçari ka shkuar në kuotën e 16 golave në historinë e Kupës së Botës, duke barazuar rekordin e gjermanit Miroslav Klose. Megjithatë, në krye të renditjes historike vazhdon të qëndrojë Lionel Messi, i cili vetëm pak orë më herët vendosi një rekord të ri me 18 gola në Botëror, pas dopietës në fitoren 2-0 të Argjentinës ndaj Austrisë.
Mbappe po ashtu mbetet plotësisht në garë për “Këpucën e Artë” të Botërorit 2026. Me katër gola të shënuar deri tani, ylli francez ndodhet vetëm një realizim larg rivalit të tij argjentinas.
“Leo shënon gjithmonë dhe do të vazhdojë të shënojë. Unë nuk përqendrohem te ajo që bën Messi, por te ndihma që mund t’i jap skuadrës sime. Rruga është ende e gjatë dhe shumë e vështirë, por ne do të bëjmë gjithçka për të dalë fitues”, tha Kylian Mbappe.
Mbappe foli edhe për formën e tij fizike pas dëmtimit të rëndë që pësoi në janar gjatë sezonit me Real Madridin, duke theksuar se ndihet gati për sfidat që e presin në vazhdim të turneut.
“Kupa e Botës është objektivi më i madh për çdo futbollist. Pas dëmtimit, kam punuar shumë për t’u rikthyer në formën më të mirë fizike dhe mendore. Ndihem mirë, por ky është vetëm fillimi. Duhet të bëjmë shumë më tepër nëse duam të fitojmë trofeun. Sa më shumë të avancojmë në këtë kompeticion, aq më të vështira do të jenë sfidat”, u shpreh më tej Mbappe.
Tashmë, vëmendja e skuadrës së Didier Deschamps është zhvendosur te sfida e 26 qershorit ndaj Norvegjisë. Francezët synojnë të mbyllin fazën e grupeve në krye të Grupit I, duke konfirmuar formën e mirë dhe statusin e një prej pretendentëve kryesorë për trofeun e Botërorit 2026.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 