Kylian Mbappé është sërish në qendër të vëmendjes në Madrid, por këtë herë jo për golat, por për një situatë jashtë fushës që ka ndezur debate të forta mes tifozëve të Real Madridit.

Sipas mediave spanjolle, pak para ndeshjes Espanyol–Real Madrid, sulmuesi francez është parë duke mbërritur në Barcelonë së bashku me aktoren Ester Expósito.

Dyshja dyshohet se ka kaluar disa ditë pushimi në Kaliari, një udhëtim që është bërë viral në rrjetet sociale. Mbërritja e tij rreth orës 20:48, vetëm pak minuta para fillimit të ndeshjes në stadiumin Cornellà, ka shkaktuar reagime të menjëhershme dhe polemika mes tifozëve madrilenë.

Situata është përkeqësuar edhe në rrjetet sociale, ku një video e publikuar nga Real Madrid për stërvitjen e ekipit është shoqëruar me qindra komente kritike ndaj francezit.

Tifozët kanë shprehur pakënaqësi sidomos në një moment delikat të sezonit, kur titulli i La Ligës duket gjithnjë e më afër Barcelonës. Ndërkohë, në media janë shfaqur edhe raportime që flasin për një marrëdhënie jo shumë të fortë të Mbappé me disa lojtarë të tjerë të skuadrës, duke rritur edhe më shumë tensionet në ambientin e brendshëm të klubit.

Nga ana sportive, 27 vjeçari aktualisht është jashtë fushave për shkak të një dëmtimi muskulor në kofshën e majtë, të pësuar në ndeshjen ndaj Betis.

Objektivi i stafit mjekësor është rikuperimi i tij për “El Clásico” ndaj Barcelonës, por gjendja e tij mbetet ende nën vëzhgim.

Klan News

/tvklan.al