Mes refugjatëve edhe 11 fëmijë, strehohen në hotelet e Durrësit
Pas disa fluturimesh të anuluara për shkak të situatës kaotike në Kabul, mbërritën këtë të premte në Shqipëri refugjatët e parë afganë. Në orën 03:15, avioni me 121 pasagjerë në bord ul në zonën ushtarake pranë Aeroportit të Rinasit.
Gjithçka ju ka mbetur pasi morën arratinë nga talebanët është jeta dhe këto pak rroba mbi shpinë, megjithatë Shqipëria për këta afganë është një dritë shprese.
Mes 121 pasagjerëve tokën shqiptare e prekën edhe 11 foshnje. Qytetarët afganë u pritën nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka dhe ambasadorja e SHBA, Yuri Kim. Sipas ministres Xhaçka, ndihma ndaj afganëve është një detyrim moral.
“Çdo grua, burrë dhe fëmijë që shihni këtu është një jetë e shpëtuar. Këtu nuk bëhët fjalë vetëm për mikpritje apo besën e shqiptarëve, por për një detyrim moral sepse këta afganë ishin për 20 vjet aleatë të NATO-s, besuan në vizionin e këtij komuniteti”.
Edhe Kryeministri Edi Rama ju uroi mirëseardhjen qytetarëve nga Afganistani teksa tha se populli shqiptar do t’u qëndrojë pranë. Ndërsa ambasadorja e SHBA, Yuri Kim u shpreh se është krenare t’i konsiderojë shqiptarët aleatë dhe miq.
Refugjatët afganë, mes cilëve shumë gra dhe fëmijë, iu nënshtruan fillimisht përpunimit të të dhënave individuale dhe regjistrimit. Po në qendrën pritëse në Rinas iu bënë ekzaminimet paraprake mjekësore.
Të ndarë në grupe, ata iu drejtuan qytetit të Durrësit, aty ku do të strehohen përkohësisht në strukturat hoteliere.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 