Synimi, rinisja e dialogut me Beogradin

Ende pa u bërë dy javë nga formimi i qeverisë së re, Kosovën po e viziton i dërguari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak.

Mësohet se Lajçak do të qëndrojë dy ditë në Kosovë dhe do të zhvillojë takime me udhëheqës të institucioneve dhe partive politike, ku do të diskutohet për rifillimin sa më të shpejtë të dialogut Kosovë-Serbi.

Presidenti Hashim Thaçi thotë se ai është i mirëseardhur nëse e pranon realitetin në Kosovës, ndërsa qasjet e tjera të tij i konsideron si dështim.

“Nuk jam i informuar për përmbajtjen dhe axhendën e Miroslav Lajçakut në Kosovë. Ai duhet të kuptojë se Kosova është e pavarur dhe sovrane, nëse vjen me këtë qasje është i mirëserardhur. Çdo qasje tjetër është qasje e dështimit të tij në Kosovë dhe BE”.

Ndërkohë, Kryeministri Hoti ka konfirmuar se do të zhvillojë takim me të dërguarin e BE-së për dialogun. Këto komente Thaçi e Hoti i kanë bërë pas takimit të parë që zhvilluan pas zgjedhjes së Hotit Kryeministër.

Hoti insiston se ai do të udhëheqë dialogun Kosovë-Serbi, meqë është e qartësuar me Kushtetutë, derisa Presidenti nuk dha detaje duke thënë se këtë e sqaron Kushtetuta.

Tv Klan