Pas 6 orësh seancë, Gjykata e Durrësit ka lënë në burg 8 nga 20 të arrestuarit në lidhje me 2 800 ton mbetje të kthyera nga Tajlanda në tetor të vitit 2024, pasi kishin dalë nga vendi ynë në korrik po të atij viti. Mes tyre janë dhe anëtarë të kompanisë Kurum.
Ndërkohë, për 5 të tjerë u caktua masa arresti në shtëpi, ndërsa pjesa tjetër “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.
Sipas Prokurorisë së Durrësit, personat e dyshuar, mes të cilëve dhe përfaqësues të lartë të Kurum, kanë konsumuar disa vepra penale. Konkretisht, “kontrabandë me mallra të ndaluar ose të kufizuar”, “transporti i mbetjeve”, “falsifikim dokumentash”, “pastrim i produkteve të veprimtarisë kriminale” dhe “shpërdorim detyre”.
Sipas organit të akuzës, mbetjet e rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe mjedisin ishin shpërndarë në 102 kontejnerë, nga ku në 11 prej tyre u morën mostra për ekspertim në një laborator në Itali.
Hetimi i Prokurorisë zbuloi se pas këtyre mbetjeve ishin të përfshirë edhe zyrtarë të Doganës së Durrësit dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, për të cilët gjykata komunikoi masat e sigurisë këtë të premte, 6 shkurt.
Ndërkohë, po për këtë çështje janë në kërkim 13 persona të dyshuar, mes tyre Erdal Demir, administratori i ‘Kurum International’, si dhe pronarja e kompanisë “Sokolaj”, Gjovana Sokolaj, e cila i kishte blerë mbetjet nga Kurum për t’i dërguar në Tajlandë.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 