Koronavirusi arrin një tjetër shifër maksimale, duke prekur mbi 3.1 milionë njerëz në gjithë globin që prej fillimit të pandemisë. Numri i viktimave përbën 6.9%, ndërsa të shëruarit janë mbi 30% e totalit.

Edhe pse ritmet e infektimit kanë rënë thuajse në gjithë vendet perëndimore, Shtetet e Bashkuara kanë 1/3 e të prekurve në shkallë globale. Sipas disa përllogaritjeve, Covid-19 u ka marrë jetën më shumë shtetasve amerikanë në një periudhë prej rreth 2 muajsh, se ç’i mori lufta e Vietnamit në dy dekada.

Rusia është një tjetër vatër aktive e Covid-19 në botë, ku numri i të prekurve vijon të rritet me ritme të shpejta. Numri i të infektuarve është rreth 100 mijë, ndërsa prej disa ditësh përllogariten 5 deri 6 mijë infektime të reja. Megjithatë vdekshmëria aktualisht është 0.6%, ndër më të ulëtat në gjithë globin.

Turqia ka vendosur të shtyjë afatin e masave bllokuese deri më fund të Majit, periudhë gjatë të cilës të gjitha shkollat do të qëndrojnë të mbyllura. Numri i të prekurve në këtë vend është mbi 117 mijë, ndërsa 3 mijë janë viktimat.

Gjermania ka numrin më të ulët të infektimeve ditore 147 gjatë 24 orëve të fundit. Në Spanjë u shënuan 325 vdekje ditore, ndërsa në Itali 323. OKB paralajmëron se 1.5 miliardë njerëz në gjithë globin rrezikojnë të humbin vendet e punës dhe mirëqenien për shkak të masave bllokuese.

Tv Klan