Mbi 1.4 miliard euro për subvencione dhe transfere, më shumë se një miliard për paga dhe po aq për investime kapitale.
Këto janë ndarjet kryesore të projektbuxhetit të Kosovës për vitin 2027, i cili parashihet të arrijë në 4.27 miliardë euro.
Projektbuxheti, i miratuar nga Qeveria e Kosovës më 2 nëntor dhe i siguruar nga Radio Evropa e Lirë, është rreth 300 milionë euro më i lartë se buxheti fillestar i vitit 2026, apo 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar.
Ai tashmë i është dërguar Kuvendit për shqyrtim dhe miratim.
Ku do të shkojë pjesa më e madhe e parave?
Pjesa më e madhe e buxhetit, rreth 1.45 miliard euro, është planifikuar për subvencione dhe transfere – kategori që përfshin pensionet, shtesat për fëmijë, ndihmat sociale dhe forma të tjera të mbështetjes financiare.
Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, kjo kategori është rritur për 6.5 për qind krahasuar me vitin 2026, kryesisht për shkak të rritjes së planifikuar të shtesave për fëmijë dhe pensioneve.
Pas saj renditen shpenzimet për paga, me 1.085 miliard euro, apo rreth një të katërtën e buxhetit të përgjithshëm.
Për krahasim, në buxhetin fillestar të vitit 2026 për paga dhe shtesa ishin planifikuar mbi 980 milionë euro. Për investime kapitale janë paraparë rreth 1.07 miliard euro, krahasuar me 998 milionë euro në buxhetin fillestar të vitit 2026.
Ndërkaq, për mallra dhe shërbime janë planifikuar rreth 589 milionë euro, krahasuar me rreth 545 milionë euro në vitin 2026.
Më shumë mjete janë planifikuar edhe për barna esenciale. Sipas kryeministrit Albin Kurti, një pjesë e tyre është siguruar përmes përgjysmimit të buxhetit për udhëtime jashtë vendit.
Rritje është paraparë edhe në financimin e komunave, për të cilat janë ndarë 908 milionë euro, krahasuar me 867 milionë euro në buxhetin fillestar të vitit 2026.
Cilat ministri marrin më shumë dhe cilat më pak?
Projektbuxheti i vitit 2027 parasheh rritje të mjeteve për disa ministri, por edhe shkurtime për të tjera.
Ministria e Mbrojtjes pritet të ketë tetë milionë euro më shumë se në vitin 2026, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës pesë milionë euro më shumë.
Rritje janë planifikuar edhe për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, me 7.7 milionë euro, dhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, me rreth 1.9 milion euro.
Në anën tjetër, ulja më e madhe, sipas këtyre krahasimeve, është paraparë për Ministrinë e Ekonomisë.
Buxheti i saj pritet të bjerë nga rreth 79 milionë euro në vitin 2026, në 23.4 milionë euro në vitin 2027 – një zvogëlim prej rreth 55.6 milionë eurosh.
Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të konfirmojë arsyen e kësaj uljeje, as nga dokumenti i projektbuxhetit dhe as nga Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Financave.
Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë pritet të ulet, po ashtu, për mbi 1.3 milion euro, ndërsa ai i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës të rritet nga 199 në mbi 217 milionë euro në vitin 2027.
Për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës janë planifikuar rreth dy milionë euro më pak se në vitin 2026, por krahasimi nuk është i drejtpërdrejtë, pasi teknologjia dhe inovacioni nuk janë më pjesë e fushëveprimit të saj.
Çfarë investimesh janë planifikuar?
Për herë të parë, shpenzimet e planifikuara për investime kapitale kalojnë pragun prej një miliard eurosh, duke përbërë rreth një të katërtën e buxhetit.
Sipas projektbuxhetit, investimet do të përqendrohen në përmirësimin e infrastrukturës së transportit dhe energjisë, si dhe të kushteve në arsim, shëndetësi dhe shërbime sociale.
Ndër projektet që Qeveria ka veçuar, janë: ndërtimi i Unazës së Jashtme të Prishtinës, segmenti rrugor Duhël-Banullë, që lidh dy autostradat kryesore të vendit, si dhe autoudha e Dukagjinit.
Janë paralajmëruar gjithashtu investime në ndërtimin e digave, infrastrukturën sportive për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 dhe zhvillimin e turizmit. Megjithatë, ndarja e mjeteve në buxhet nuk garanton realizimin e projekteve.
Sipas ministrit Murati, gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026 janë realizuar vetëm 37 për qind e investimeve të planifikuara kapitale. Ai ua atribuoi këtë nivel të realizimit, ndër të tjera, vonesave në procedurat e prokurimit publik dhe faktit që Kosova e nisi vitin pa buxhet të miratuar.
Buxheti i vitit 2026 u miratua vetëm më 20 shkurt, pas një periudhe krize politike dhe institucionale, gjatë së cilës institucionet funksionuan me financim të përkohshëm.
Çfarë ndryshon për pagat dhe shtesat?
Një pjesë e rritjes së buxhetit për paga lidhet me vendimin e Qeverisë për ta ngritur vlerën e koeficientit të pagave në sektorin publik nga 110 në 120 euro, duke filluar nga 1 korriku 2027.
Punonjësit që paguhen nga buxheti i shtetit pritet të përfitojnë edhe pagën e 13-të gjatë pjesës së parë të vitit, siç ndodhi edhe në vitin 2026.
Sipas kryeministrit Kurti, këto masa e çojnë buxhetin e pagave në 1.085 miliard euro. Projektbuxheti parasheh gjithsej 91.631 pozita pune në sektorin publik, apo 470 më shumë se në buxhetin e vitit 2026.
Kjo shifër tregon numrin e pozitave të planifikuara, jo domosdoshmërisht të punonjësve të angazhuar. Rritje janë paraparë edhe për shtesat e fëmijëve.
Nga 1 janari 2027, ato pritet të rriten për 25 për qind, ndërsa Qeveria synon rritje të tjera vjetore deri në dyfishimin e tyre në vitin 2030.
Sipas shembullit të dhënë nga Kurti, një familje me dy fëmijë, që aktualisht merr 60 euro në muaj, pritet të marrë 75 euro nga janari.
Çfarë tjetër parasheh projektbuxheti?
Përveç pagave, mbështetjes sociale dhe investimeve infrastrukturore, Qeveria ka paralajmëruar financimin edhe të disa nismave të tjera.
Një prej tyre është themelimi i kompanisë së parë ajrore të Kosovës.
Projektbuxheti parasheh gjithashtu rritjen e mbështetjes financiare për ekipet mbrojtëse të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të dënuar në shkallë të parë për krime lufte nga Dhomat e Specializuara në Hagë, më 16 shtator.
Çfarë pritet nga ekonomia dhe çmimet?
Projektbuxheti mbështetet në parashikimin se ekonomia e Kosovës do të rritet për 4.2 për qind gjatë vitit 2027.
Sipas projeksioneve qeveritare, vlera e përgjithshme e ekonomisë pritet të arrijë në rreth 14 miliardë euro, krahasuar me rreth 13 miliardë sa vlerësohet për vitin 2026.
Konsumi privat, investimet dhe eksportet e shërbimeve pritet të jenë ndër faktorët kryesorë të rritjes. Por, çmimet mbeten një nga shqetësimet kryesore për qytetarët. Në shtator të këtij viti, inflacioni vjetor arriti në 7.8 për qind, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Qeveria parashikon që inflacioni të ngadalësohet në 4 për qind gjatë vitit 2027. Kjo nuk do të thotë se çmimet do të ulen, por se pritet të rriten me ritëm më të ngadalshëm.
Në projektbuxhet, megjithatë, paralajmërohet se këto pritje mund të ndikohen nga shtrenjtimi i produkteve në tregjet ndërkombëtare, ngadalësimi ekonomik i vendeve partnere dhe zhvillimet në sektorin energjetik.
Kur pritet të miratohet buxheti?
Qeveria e Kosovës e miratoi projektbuxhetin më 2 nëntor, pas afatit të 31 tetorit të përcaktuar për dorëzimin e tij në Kuvend.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e kritikoi Qeverinë për mosrespektimin e këtij afati.
Ministri Murati, ndërkaq, tha se afati ishte respektuar, pasi 31 tetori kishte qenë ditë e shtunë. Projektligji tani duhet të shqyrtohet dhe të votohet nga Kuvendi në dy lexime, deri në fund të vitit. Gjatë këtij procesi, deputetët mund të propozojnë ndryshime në ndarjet buxhetore./REL
/tvklan.al












Botërori 2026 
