Bilanci i viktimave nga fluksi masiv i emigrantëve drejt enklavës spanjolle të Ceutës ka shkuar në të paktën 19 të vdekur, pasi persona të tjerë humbën jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin duke notuar nga Maroku.

Katër trupa të tjerë janë gjetur në orët e fundit pranë digës mbrojtëse në zonën kufitare, duke rritur numrin e viktimave. Ndërkohë, gjatë natës mijëra emigrantë të tjerë kanë vijuar të kalojnë kufirin drejt territorit spanjoll.

Sipas mediave spanjolle, që nga nisja e valës së hyrjeve masive, numri i personave që kanë kaluar kufirin ka kaluar 40 mijë, ndërsa disa burime flasin edhe për rreth 50 mijë hyrje.

Një burim nga policia spanjolle tha se gjatë gjithë natës ka pasur “një fluks të vazhdueshëm njerëzish”, ndërsa pavarësisht se ritmi ka qenë më i ulët krahasuar me ditën, emigrantët kanë vazhduar të mbërrijnë edhe në orët e mëngjesit.

Me viktimat e fundit, numri total i emigrantëve që kanë humbur jetën këtë vit duke tentuar të arrijnë në Ceuta duke notuar ka shkuar në 49 persona, një rekord historik. Numri më i lartë i regjistruar më parë ishte në vitin 2015, kur humbën jetën 46 emigrantë.

Vetëm gjatë muajit korrik, 30 persona janë mbytur në përpjekje për të mbërritur në qytetin spanjoll.

Përballë situatës së krijuar, Spanja ka bërë të ditur se do të zbatojë marrëveshjet me Marokun për kthimin e personave që kanë hyrë në Ceuta. Ministri spanjoll për Politikën Territoriale, Victor Angel Torres, deklaroi se Madrid do të respektojë të drejtat themelore dhe do të ofrojë një përgjigje humanitare, por emigrantët do të rikthehen në vendet e tyre përmes procedurave të përcaktuara.

Qeveria spanjolle ka theksuar se marrëveshjet me Marokun, Mauritaninë dhe Senegalin parashikojnë procedura të ndryshme për të rriturit dhe të miturit.

Ndërkohë, sipas vlerësimeve të pakonfirmuara zyrtarisht, rreth 49 mijë persona kanë hyrë në Ceuta brenda 24 orëve, mes tyre rreth 7 mijë të mitur.


/tvklan.al