Ky filmim dëshmon se protestat masive nuk u ndalën për të 16-tën ditë radhazi në Teheran dhe qytete të tjerë të Iranit, kundër regjimit të ajatollahëve.
Autoritetet iraniane duket se po i shtypin me dhunë protestat, teksa organizata e aktivistëve për të drejtat e njeriut HRANA flet për 648 të vrarë deri më tani.
Numri i të arrestuarve deri më tani përllogaritet në mbi 10 mijë.
Ndërkohë që sot u zhvilluan manifestime pro regjimit të Iranit, së cilës iu bashkua dhe presidenti iranian. Pamjet u transmetuan nga televizioni shtetëror, këto tubime ishin si kundërpërgjigje ndaj protestave të zhvilluar prej dyjavësh në të gjithë territorin e Iranit.
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, thotë se tubimet pro-qeveritare “erdhën si një paralajmërim për politikanët amerikanë që t’i japin fund mashtrimit të tyre”.
Presidenti amerikan, Donald Trump, dënoi vrasjen e protestuesve dhe kërcënoi regjimin iranian me sulm ushtarak.
“Po e shohim me shumë seriozitet situatën. Edhe ushtria po e mbikëqyr dhe po shqyrtojmë disa alternativa shumë të forta. Do të marrim një vendim”, tha Trump.
Media amerikane Axios shkruan se Ministri i Jashtëm iranian Abaz Aragçi kontaktoi të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë, Stiv Uitkof, gjatë fundjavës.
Qëllimi ishte përpjekja e Teheranit për të mbajtur larg Shtetet e Bashkuara nga këto zhvillime, ose të paktën të fitojë më shumë kohë përpara se Presidenti Donald Trump të urdhërojë ndonjë veprim për të dobësuar më tej regjimin.
Në shumë ambasada iraniane nëpër botë, ka patur tubime në mbështetje të protestave, gjatë të cilave flamujt e Republikës Islamike janë zëvendësuar me flamurin e Shahut, me luan në mes.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
