Mbi 62 mijë fermerë kanë aplikuar për të përfituar nga skema kombëtare e subvecionimit në bujqësi. Sipas këshilltares pranë Ministrisë së Bujqësisë Ermira Gjeçi, interes ka patur për të gjitha fushat përfshi dhe bashkimin e fermerëve, sidomos për serat.

Ermira Gjeçi, këshilltare në Ministrinë e Bujqësisë: Mund të flasim diku te 250, 260 në total dhe duhet konsideruar që minimumi i fermerëve është 7. Ata duhet të kuptojnë benefitet që kanë nga të qenurit të grupuar.

Interes të shtuar për të përfituar nga skema e subvecionimit ka patur edhe nga bletërritësit, si dhe fermat organike.

Ermira Gjeçi, këshilltare në Ministrinë e Bujqësisë: Numrin më të madh të aplikimeve e zë blegtoria, domethënë të gjithë ata që kanë aplikuar për gjedhët e imta dhe bletët. Pastaj vijnë prodhimet në sera, ndërsa për ato organike numri i fermave është më i vogël, diku te 145 sepse janë inovacion për bujqësinë shqiptare. Kurse pjesa e bletritëve ishte diku te 4 mijë aplikime.

Sipas Gjeçit, synimi është mbështetja e pjesës më të madhe të fermerëve të fiskalizuar. Në total në vendin tonë janë rreth 90 mijë fermerë me nipt.

Ermira Gjeçi, këshilltare në Ministrinë e Bujqësisë: Ne akoma pretendojmë që do jetë rreth 70 mijë numri i fermerëve me nipt. Ky është kushti i parë që ka të bëjë dhe me formalizimin e bujqësisë shqiptare.

Afati i fundit i aplikimit është data 19 prill. Pas mbylljes së aplikimeve do të bëhet verifikimi i dokumentacionit të aplikuesve si dhe verifikimi në terren, më pas shuma e parave për çdo fermer do të kalojë në llogaritë te tyre personale duke nisur nga muaj Maj.

Klan News