Jo vetëm parku i Liqenit Artificial dhe ai i Farkës, por edhe në parkun e liqenit të Vaqarrit ka filluar mbjellja e pemëve. Fushata në këtë pjesë të Tiranës nisi pas dhurimit të 4 mijë pishave të zeza nga institucione shtetërore dhe biznese private. Kreu i bashkisë Erjon Veliaj tha se e mbjellja e pemëve do të nisë edhe në zonën e Kombinatit, dhe më vonë në mandatin e ardhshëm liqeni i Prushit të kthehet në një hapësirë çlodhëse për qytetarët.

“Siç po transformohet Liqeni i Farkës apo i Kasharit, që janë kthyer në valvula shkarkimi për pjesët urbane të Tiranës, të njëjtën gjë parashikojmë edhe për Kombinatin, që deri në fund të këtij mandati dhe pastaj mandatin tjetër, ta kthejmë zonën e liqenit të Prushit në një hapësirë çlodhëse për ta”.

Aksionit për mbjelljen e pemëve iu bashkia edhe Ministria e Mbrojtjes në kujtim të 42 ushtarëve të rënë dëshmorë në misionet ushtarake.

“Sot kemi mbjellë edhe 42 fidanë në shenjë dashurie, respekti dhe mirënjohjeje për 42 të rënët tanë në krye të detyrës, 42 “Dëshmorët e Atdheut”.

Sipas materialit të dërguar nga zyra e shtypit në Bashkinë e Tiranës, kryebashkiaku Veliaj premtoi se krahas shtimit të gjelbërimit, në këtë zonë do të shtohen dhe investimet në infrastrukturë, për ta bërë hapësirën të aksessueshme nga qytetarët.

Tv Klan