20 prill 2026 – Ashtu si çdo të hënë, socialistët mblodhën sot grupin parlamentar në Kryesinë e Kuvendit.

Mbledhja u drejtua nga kreu i grupit parlamentar Taulant Balla, në mungesë të kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit ndodhet në Abu Dhabi, në kuadër të një vizite zyrtare.

“Kemi pasur debate me kolegë për disa ligje, ku kanë propozuar disa ndryshime, amendime. Është normale që deputetët në mbledhjen e grupit parlamentar të kenë kritika, një koleg me shumë eksperiencë bëri propozimet e tij për një ligj. Kjo është demokracia brenda grupit parlamentar”, tha Balla për gazetarët.

U pyet sa i takon një vendimmarrjeje të grupit lidhur me ish-ministren e Jashtme Elisa Spiropali, e cila ka bërë disa postime kritike së fundmi në rrjetet e saj sociale.

“Për performancën e çdo deputeti ka rregull se si bëhet, kam 20 vjet në grup parlamentar, kur mbyllet sesioni, kërkohet edhe përmirësimi i punës apo çështje të tjera. Rregulla që ekzistojnë në çdo parlament europian”, u përgjigj Balla, duke specifikuar se “Spiropali nuk ka shprehur gjë në mbledhjet e zhvilluara”.

Balla ritheksoi se PS është në proces rienergjizimi, referuar kështu zgjedhjeve të brendshme partiake. Nënvizoi se ky proces lidhet ngushtë me përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027.

“Do ketë dëgjesa në të 12 qarqet e vendit, u kam kërkuar deputetëve të marrin pjesë. Sot jemi në kushtet e një reforme admnistrativo-territoriale që ka prodhuar disa suksese”, tha ai.

Ndërkohë, siç bëri me dije më herët gazetarja e Klan News, Greta Bullari, në seancën e së enjtes do të zhvillohen plot 5 interpelanca. Fillimisht me ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi dhe më pas me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro. Interpelanca këto, të mbartura nga java e shkuar dhe të kërkuara nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike.

Tre interpelancat e tjera përfshijnë atë me ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari, ministren Evis Sala dhe ministrin Andis Salla.

Kujtojmë se në seancën e 16 prillit, Kuvendi zgjodhi me 73 vota pro Denar Bibën si kryetar të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës. Me votat e shumicës dhe me mbështetjen e disa deputetëve të opozitës, u miratuan të gjitha pikat e rendit të ditës.

Projektligji për ratifikimin e protokollit shtesë nr. 7 të CEFTA-s, që lidhet me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në kuadër të kësaj marrëveshjeje tregtare, mori 87 vota pro. Po ashtu, dritën jeshile e mori marrëveshja e financimit ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë dhe Cassa Depositi e Prestiti S.p.A., për përmirësimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në veri të vendit pas tërmetit të vitit 2019…(Lexo më shumë)

Me 88 vota pro u miratua marrëveshja e bashkëpunimit teknik me qeverinë gjermane për projektin “Green Vjosa”.