Është mbledhur sot, 11 shkurt, Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, me opozitën të rikthyer në tryezë, një gjuhë shumë më të ‘zbutur’ dhe qasje të shtuar bashkëpunimi.

“Duhet të jemi të bindur që nuk ka një paracaktim të produktit të këtij komisioni”, deklaroi në nisje të mbledhjes, bashkëkryetari demokrat Luçiano Boçi.

“Nëse rruga jonë kalon pjesërisht nëpërmjet konsensusit, për raporte apo vendime të caktuara dhe në fund fare del me variant të personalizuar politik, atëherë çfarë kuptimi ka komisioni?! Ne duhet të kemi një produkt të përbashkët!”, tha Boçi, duke shtuar se çdo lloj opsioni ndryshe nga sa argumenton PD, përbën hipokrizi.

“Të vendosim këtë bazë të rëndësishme politike dhe të vazhdojmë punën”, u tha ai socialistëve.

Edhe Arbjan Mazniku (po bashkëdrejtues i komisionit) ra dakord për unitet mes palëve për të nxjerrë një produkt.

“Na duhet të kemi bashki dhe rajone të afta për të funksionuar, jo thjesht si struktura që ofrojnë shërbim për qytetarët, por të tërheqin fianncime nga BE për territorin e tyre. Kjo është një dritare që nuk duhet dhe nuk mund ta humbasim! Ta kryejmë këtë reformë para zgjedhjeve të 2027-ës, të hyjmë në zgjedhje me sistem të ri, në mënyrë që në vitin 2030 të kemi bashki që të punojnë në atë nivel funksionimi”, deklaroi Mazniku.

“Meqë ekzistoka si vullnet, ta vulosim! Të marrim vendimin që po, ne do kemi një produkt konsensual!”, ishte deklarata pasuese e Boçit.

“Ka ardhur koha të lëvizim dhe të punojmë”, u shpreh anëtarja e komisionit, Jorida Tabaku.

“Nesër është seancë parlamentare, ne duam të japim propozimet tona për këtë plan pune, propozimi jonë është një mbledhje për të hënën. Secili prej nesh duhet të japë një koment. Puna e komisionit sot rifilloi, nuk ka më asnjë bllokim pune. Në kuadër të atij besimi që u përmend këtu, kemi nevojë që ky të jetë një produkt i përbashkët”, tha demokratja.

Ndërkohë, Mazniku vuri theksin te procesi i konsultimeve në terren, brenda këtij muaji.

“Pastaj në mars-prill, konsultime tematike, territori, kompetencat, financat publike…”, shtoi ai.


Kujtojmë se debatet mes dy forcave kryesore politike të vendit kanë qenë të forta për dy komisionet e posaçme parlamentare. Jo më larg se në seancën plenare të 3 shkurtit të këtij viti, në sallën e Kuvendit pati përplasje sa i takon përbërjes së këtyre komisioneve.

Madje, mazhoranca i vuri afat PD-së, për ta marrë në konsideratë propozimin e saj që “Territorialja” të riformatohej me 17 anëtarë. Nga këta të fundit, 9 nga PS dhe 8 nga opozita. Po ashtu formula e bashkëdrejtimit të zhbëhej, me një kryetar nga mazhoranca dhe një nënkryetar të krahut opozitar.

Megjithatë, po me kërkesë të Partisë Socialiste, çështja u hoq nga rendi i ditës.

Pika e nisjes së debatit ka qenë “bojkoti i mbledhjeve nga opozita”, që për demokratët ka ardhur si pasojë e agjendave paralele.

Mbledhja e radhës e këtij komisioni u caktua ditën e hënë, më 16 shkurt.