Pesë organizata mjedisore kanë paraqitur një ankesë të përbashkët në OKB, duke kërkuar rishikimin e statusit të FIFA-s në kuadër të nismës për veprim klimatik.
Akuzat bazohen në pretendimin se qeveria botërore e futbollit ka dështuar në përmbushjen e zotimeve të saj thelbësore për mbrojtjen e mjedisit.
Organizatat theksojnë se zgjerimi i turneve të mëdha po rrit ndjeshëm ndotjen globale, duke përmendur kalimin e Kupës së Botës nga 64 në 104 ndeshje dhe shpërndarjen e edicionit të vitit 2030 në gjashtë shtete dhe tre kontinente të ndryshme.
Një pikë tjetër e fortë e ankesës është partneriteti shumëvjeçar i FIFA-s me gjigantin saudit të energjisë, “Aramco”. Sipas palëve ankimuese, marrëveshja me këtë kompani bie ndesh me angazhimet e marra, pasi ajo konsiderohet si ndotësi më i madh në botë.
Si nënshkruese e marrëveshjes së OKB-së, FIFA është zotuar të reduktojë me 50% emetimet e saj të gazrave serrë deri në vitin 2030. Megjithatë, faktet e paraqitura në letër tregojnë se institucioni sportiv po e shton ndotjen në vend që ta reduktojë atë.
Kjo ankesë u dorëzua pikërisht në kohën kur në Turqi po zhvillohet samiti botëror i klimës, duke rritur presionin ndërkombëtar mbi politikat e FIFA-s.
/tvklan.al












Botërori 2026 
