Lajme Arkiva – Tv Klan 2000

Gazeta “Dita” në Kosovë, vendos të ndjekë rregullat e Komisionit të Përkohshëm të Mediave. “Ne do ta mbyllim gazetën, pasi nga kjo mund të hapën shumë çështje të rëndësishme, për fushën e mediave në Kosovë”, ka deklaruar sot botuesi i gazetës “Dita”, Belul Beqaj.

Sot botuesi i gazetës “Dita”, ka vendosur të lëshojë pe. Këtë herë ai ka vendosur ta mbyllë vetë gazetën e tij duke mos lejuar kështu që policët e UMNIK-ut të përdorin dhunën për të mbyllur atë. Në një editorial në numrin e sotëm të gazetës “Dita”, i cili do të jetë edhe i fundit të paktën për një periudhë të konsiderueshme kohore, botuesi i “Ditës” Belul Beqaj, ka sqaruar se ai do të zbatojë urdhrin e autoriteteve ligjore.

Në 4 Korrik, gazeta “Dita” botoi një artikull me fotografi të ndryshme që përfshinin dhe vendbanimet e tyre aktuale, të cilët sipas gazetës ishin kriminel lufte. Dy ditë më pas në 6 Korrik, gazeta mori një vërejtje me shkrim nga komisioni i OSBE-së për shkelje të rregullores që ndalon publikimin e informatave, që rrezikojnë jetën e personit. Përgjigja e gazetës u gjykua e pakënaqshme dhe në 20 Korrik ajo u gjobit me 25 mijë marka, por gjoba nuk u pagua dhe “Dita” u urdhërua dje të ndërpresë menjëherë botimin, urdhër të cilin e përditshmja kosovare sot e ktheu në realitet./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori