Më 1 Korrik në orën 14:00 do të vendoset përfundimisht fati i ish-efektivit të RENEAS Arbër Paplekaj dhe ish-efektivëve të Policisë së Elbasanit, për ngjarjen e ndodhur 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të Prillit 2021.

Në atë ngjarje gjatë përplasjes me armë mes grupit të mbrojtjes së votës, të Partisë Demokratike dhe mbështetësve të Partisë Socialiste, humbi jetën Pjerin Xhuvani dhe u plagosën disa persona të tjerë. Gjatë konkluzioneve përfundimtare mbrojta e Paplekajt ka pretenduar se gjithçka ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtes dhe tronditjes së rëndë psiqike.

Arbër Paplekaj nuk ka reaguar ndaj fyerjeve dhe dhunës fizike, por ka reaguar kur është qëlluar me armë dhe një nga miqtë e tij është dëmtuar. Nga ekspertimi i rrobave të viktimës rezulton se ka faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri. Për shkak të distancës është e qartë se këto faktorë nuk janë nga arma e Paplekajt. Kjo do të thotë që në një distancë më afër se një metër Xhuvani ka pasur dikë që ka qëlluar me armë. Jemi para kushteve të mbrojtjes së nevojshme. Nuk është veprim i provokuar nga Paplekaj. Ajo ngjarje ka zgjatur disa sekonda, tregon se jemi në ngjarje të menjëhershme. Nuk ka qenë sulm i hamendësuar, por real. Ky grup ka qenë si trupë e vetme që vepronin njëherësh dhe në drejtim ishte Pjerin Xhuvani, kundër Paplekajt e personave të tjerë.”

Po ashtu dy ish-zëvëndësdrejtorët e Policisë së Elbasanit Albert Nushi e Nikollaq Palla dhe 6 efektivët e “Shqiponjave” Dedion Duraku, Pëllumb Biçaku, Erion Balla, Erion Meçja, Donald Dedja dhe Besmir Kadiu, kanë mohuar akuzat. Ata pretendojnë se gjithçka ka ndodhur brenda disa sekondave dhe se nuk kanë konsumuar elemente të veprës penale të shpërdorimit të detyrës dhe kallëzimit të rremë para OPGJ.

Efketivët theksuan se nuk kishin mundësi të vepronin dhe të nxirrnin armët pasi ishte e pamundur për shkak të turmës së njerëzve që ishin të pranishëm në konflikt. Dy ish-nëndrejtorët kanë pretenduar se ishin në mes të përplasjes dhe kanë rrezikuar edhe jetën.

Prokurori i Apelit në seancë u shpreh se përtej hetimit gjyqësore nuk u sollën prova të reja. Gjykata e Elbasanit e dënoi Arbër Paplekajn me 22 vite burgim ndërsa për dy ish-zëvëndësdrejtoritë e policisë së Elbasanit Albert Nushi e Nikollaq Palla u vendos 1 vit shërbim prove dhe për 6 efektivët e forcave Shqiponja nga 16 muaj shërbim prove.

Klan News