Kryeministri i sapoemëruar i Kanadasë Mark Carney ka thirrur zgjedhjet e parakohshme të cilat pritet të mbahen më 28 Prill.

Zgjedhjet vijnë pasi Kanadaja përballet me një luftë tregtare me SHBA-në dhe thirrjet e Presidentit Donald Trump që ajo të bëhet shteti i 51-të amerikan, çështje të cilat pritet të jenë në vëmendjen e votuesve.

Carney tani duhet të përballet me liderin konservator Pierre Poilievre, partia e të cilit ka udhëhequr në sondazhet kombëtare që nga mesi i vitit 2023, megjithëse kohët e fundit duket se gara tani është kokë e kokë.

Në mesazhin e tij, Carney e cilësoi luftën tregtare me SHBA-në një nga “kërcënimet më të mëdha”.

“Unë po u kërkoj kanadezëve një mandat të fortë për t’u marrë me Presidentin Donald Trump dhe për të ndërtuar një ekonomi të re kanadeze që funksionon për të gjithë, sepse e di që ne kemi nevojë për ndryshim”, tha Carney.

Mbajtja e zgjedhjeve të parakohëshme vijnë nëntë ditë pasi Carney, një liberal, u betua si kryeministër i Kanadasë pas dorëheqjes së Justin Trudeau. Konservatorët e kanë portretizuar Carney-n si një elitar që planifikon të vazhdojë politikën e shpenzimeve të larta qeveritare të epokës Trudeau.

Një sondazh në internet i Angus Reid tregon se Liberalët kanë 42% mbështetje dhe Konservatorët me 37%.

Tarifat e administratës amerikane për mallrat kanadeze mund të sjellin paqëndrueshmëri ekonomike dhe ta shtyjnë Kanadanë drejt një recesioni.

Trump vendosi tarifa 25% për mallrat kanadeze më 2 Mars përpara se t’i ndalte ato pjesërisht për një muaj.

Më 12 Mars, hyri në fuqi një taksë prej 25% për të gjitha importet e aluminit dhe çelikut, duke goditur importuesit kanadezë. Administrata Trump planifikon tarifa të mëtejshme globale më 2 Prill, në javën e dytë të fushatës.

Kanadaja është kundërpërgjigjur deri më tani me tarifa për mallrat amerikane me vlerë rreth 60 miliardë Dollarë.

Klan News