Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se është më i vendosur dhe më energjik se kurrë për ta çuar Tiranën përpara. Nga Liqeni i Farkës për mbylljen e aksionit të gjelbërimit, Veliaj tha se ata që e godasin duan të përfitojnë.

“Për të gjithë ata që shtyhen dhe çirren, për të gjithë ata që vjellin vrer non stop nëpër televizione për Bashkinë e Tiranës, nuk e kanë me ju, se e shijojnë lezetin që u është rritur vlera pronës e shtëpisë, e kanë me mua, se duke i rënë kryetarit mendojnë se kapin ndonjë vilë tjetër, se kapin ndonjë një zarf tjetër; duke i rënë kryetarit mendojnë se do dorëzohem e do lodhem dhe do ta ndërpres këtë kontribut. Unë jam më i vendosur e më energjik se kurrë, që këtë kryeqytet ta çojmë përpara.”

Kryebashkiaku komentoi edhe protestën e opozitës, duke thënë se godina nuk përfaqëson bashkinë.

“Kur mendoj se një pjesë e vogël ende beson te vandalizimi, te sherri, te molotovi, te shtyrja e policëve, harrojnë se bashkia nuk është ajo godina ku kam zyrën unë. Bashkia janë njerëzit, bashkia janë punëtorët, bashkia janë projekte, bashkia është ky komunitet që i ka dhënë dashuri, cilësi dhe një kontribut të jashtëzakonshëm. Këta janë bashkia, nuk është një ndërtesë. Futu në ndërtesë, por çfarë do bësh? Imagjinoni të futet Mul Noka në ndërtesë, çfarë do bëjë? S’ka drejtuar ndonjëherë shtet, s’ka bërë ndonjëherë prokopi. Imagjino të futet goca e Saliut dhe çuni i Fariut… futuni, është një ndërtesë, por nuk është ndërtesa institucioni. Institucioni, bashkia e qytetit, janë njerëzit e mrekullueshëm që punojnë përditë e përditë.”

Veliaj tha se me mbylljen e sezonit të mjelljeve, bashkia e Tiranës ka mbjell 104 mijë pemë të reja.

Klan News