Një tufë limonësh në duar, një rrugëtim drejt shtëpisë për t’i ardhur në ndihmë gjyshes së sëmurë dhe një arrestim që do t’i ndryshonte jetën përgjithmonë….

Çajupi rrëfen një nga episodet më të dhimbshme të jetës së tij gjatë diktaturës, kur në nëntor të vitit 1979 u arrestua në Delvinë, pa e ditur se për çfarë akuzohej.

I riu që po përpiqej të siguronte limonët për gjyshen përfundoi me pranga në duar, i akuzuar për propagandë dhe për tentativë për të rrëzuar pushtetin popullor.

Në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty”, ai sjell kujtimet e hidhura të arrestimit dhe dhunës brutale që përjetoi nga duart e hetuesve.

Çajupi: Erdha në fshat dhe më thanë që do të punosh në kooperativë, por kooperativa atëherë paguhej vetëm me 40 lekë. Unë kisha motrën e vogël, kisha babain, mamanë, gjyshen edhe veten. Thashë ‘çfarë do të bëj unë me 40 lekë në ditë’. Isha djalë i ri me shkollë e me të gjitha, doja që të punoja në qytet, çfarë do pune të ishte. Në atë moshë që isha unë më vunë që në anë të lumit të laja thasë. Një ditë u stresova shumë, isha në një moshë të re dhe shikoja veten të laja thasë në anë të lumit. Një natë më sëmuret gjyshja, u sëmur keq, ishte nëntor i viti 1979.

Më tha doktori i fshatit që donte limonë, ngrihem në mëngjes dhe shkoj në Delvinë që të marrë limonë dhe të kthehesha. Vij me urban, kisha 11 limonë në dorë, më afrohen dy veta dhe më pyesin për emrin dhe më thanë “në emër të popullit je i arrestuar”, i pyeta se çfarë kisha bërë. Edhe nga mendja isha mirë, që nuk kisha bërë gjë. Më lidhin me hekura dhe më gjuajnë me shpulla dhe thonë “e shikoni këtë, ky është armiku i popullit, ka dashur që të marrë pushtetin popullor”. Më morën në ‘jeep’ dhe më çuan në degën e brendshme pas kinema Delvinës. Më kanë rrahur aq shumë saqë nuk mbaj mend asnjë gjë.

Ardit Gjebrea: Po përse? Çfarë ishte motivi?

Çajupi: Arrestohesh për propagandë! Ke dashur që të marrësh pushtetin popullor.


/tvklan.al