“Lufta në Lindjen e Mesme vazhdon dhe kaosi po përhapet. Çmimet e naftës po rriten. Uashingtoni mund të heqë sanksionet ndaj naftës ruse. Kush është fituesi i vërtetë”? Kështu pyeti dje kryeministri polak Donald Tusk në platformën X.

Nga raportet diplomatike dhe ushtarake të ditëve të fundit lind dyshimi se Rusia po përfiton nga situata, ose të paktën po përpiqet. Vrasja e liderit suprem iranian, udhëheqës shpirtëror dhe politik i botës shiite, duket se ka shtuar paranojat e Putinit mbi mbijetesën e tij politike dhe fizike. Kjo lidhet edhe me rezultatet e luftës në Ukrainë.

Strategjia që Moska ka përdorur më parë për Venezuelën dhe Sirinë, dy vende nën influencën ruse, mund të aplikohet edhe për Iran: Lejo Uashingtonin të veprojë, mbro vetëm interesat më të rëndësishme ushtarake dhe ekonomike dhe sakrifiko aleatin duke kërkuar një shpërblim.

Në këtë kontekst, Vladimir Putin i ka kërkuar homologut iranian, Masoud Pezeshkian, të ndalojë bombardimet e kundërpërgjigjes, sipas raportimeve të së premtes.

Një fitore e hershme për Putinin duket të jetë edhe lehtësimi i sanksioneve të naftës nga SHBA-të, që lejon rafineritë indiane të blejnë miliona fuçi naftë ruse deri në fillim të prillit. Kjo është një fitore e vogël për Kremlinin, i cili prej kohësh është përballur me sanksione dhe sulme ndaj flotës së tij të fshehtë.

Nga ana ushtarake dhe e inteligjencës, Moska përdor strategjinë e zakonshme: thotë një gjë në tavolinat diplomatike, vepron ndryshe në terren. Sipas Washington Post, që nga e shtuna, Rusia ka komunikuar me Iranin pozicionet e bazave, anijeve dhe avionëve të SHBA-ve, si dhe qendrat e komandës, radarët dhe stacionin e CIA-s në Riad.

Është e vështirë që Irani të godasë këto objektiva me pak satelitë të disponueshëm; më e mundshme është që Kremlini t’u ketë dhënë iranianëve imazhe satelitore dhe koordinata të sakta. Sipas Forbes, muajin e kaluar Rusia ka ofruar sisteme komunikimi anti-satelit për Iranin dhe ka furnizuar ajatollahët me mjete të blinduara Spartak dhe softuer për njohje fytyre për të shtypur protestat e brendshme.

Megjithatë, përpjekja e Putinit për të përdorur Teheranin në lojën e Ukrainës mund të mos ketë sukses të plotë. Shtëpia e Bardhë ka cilësuar ndërhyrjet ruse dhe kineze si të papërfillshme, por saktësia e Teheranit ndaj objektivave ushtarake amerikane duket se ka rënë pas ditëve të para të luftës.

Në natën midis së shtunës dhe së dielës, pas një jave heshtjeje, sulmet ruse mbi Ukrainën u rikthyen, duke shkaktuar mbi dhjetë viktima në Kharkiv.

Në përgjigje, ushtria ukrainase ka goditur një bazë ruse pranë aeroportit të Donetsk, përdorur për strehimin dhe nisjen e dronëve iranianë Shahed, me raketat SCALP dhe ATACMS. Një mesazh i qartë për Kremlinin.

/tvklan.al