Kryeministri Edi Rama ishte pasditen e kësaj të mërkurë në Vaqarr të Tiranës, për të vizituar familjen Zela. Kjo familje u godit nga tërmeti i Shtatorit të këtij viti, pasi shtëpia e tyre pësoi dëmtime të rënda.

Kreu i qeverisë zgjodhi të takonte në këtë ditë Krishtlindjesh familjen, e cila hyri në banesën e re. Së bashku me ta, kryeministri hyri me këmbën e djathtë në shtëpi. Pasi i uroi për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, ai u dhuroi disa dhurata fëmijëve. Më të voglës së familjes i kërkoi që të vazhdojë të jetë më mirë në mësime.

“Tani me këtë shtëpi, nuk ke justifikim më. Tetat duhen bërë nënta, nëntat duhen bërë dhjeta. S’ke justifikim më. Shih si e kishe shtëpinë tjetër, copë-copë, tani s’ke më justifikim. Thjesht po të kërkojmë të sjellësh ca dhjeta në shtëpi. Se kur i sjell dhjetat për mamin janë si çokollatat. Kur i sjell tetat janë si qepë”, tha Rama.

Kryeministri shoqërohej edhe nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe aktori i humorit, Gaz Paja. /tvklan.al