Temperatura që shkojnë deri në 28 gradë Celsius dhe me intervale të gjata me diell, kështu pritet të jenë kushtet e motit për këtë fundjavë duke përfshirë dhe ditën e sotme. Në një lidhje direkte për Klan News, sinoptikani Hakil Osmani nga “MeteoAlb” thotë se temperaturat do të vijojnë të rriten që sot dhe gjatë fundjavës.

Hakil Osmani: Përsa i përket temperaturave, ditën e sotme maksimumet pritet të jenë rreth vlerës 24 gradë Celsius përgjatë vijë bregdetare, ndërsa ditën e shtunë pritet të kemi një rritje të tyre, duke bërë që vlerat minimale të jenë në zonat malore në 3 gradë Celsius, ndërsa maksimumet do të jenë rreth vlerës 26 gradë Celsius në Ultësirën Perëndimore. Edhe ditën e dielë do të kemi rritje të temperaturave të ajrit, më e ndjeshme në orët e mesditës pasi pritet që të kemi maksimume edhe në vlerën 28 gradë Celsius në qytetet e zonës së ulët.

Teksa nuk pritet të kemi reshje shiu në territorin e vendit, intervalet më të gjata me diell parashikohet t’i përjetojnë qytetet e Ultësirës Perëndimore dhe vija bregdetare.

Hakil Osmani: Dita e premte ka sjellë përmirësim të dukshëm të kushteve të motit duke bërë që territori shqiptar të jetë nën mbizotërimin e kthjellimeve, kalimeve të lehta të vranësirave, më të dukshme në pjesën e dytë të ditës, por nuk pritet që të kemi prezente reshjet. Por jo vetëm dita e sotme, edhe fundjava do të sjellë një mot të qëndrueshëm me intervale të gjata me kthjellime, të cilat më të dukshme do të jenë në Ultësirën Perëndimore dhe përgjatë vijës bregdetare, ndërsa në zonat malore, pjesa e dytë e ditës do të sjellë kalime të lehta të vranësirave.

/tvklan.al